Oficerët e Shërbimit Sekret qëlluan për vdekje një person, i cili iu afrua një pike kontrolli sigurie të shtunën pranë Shtëpisë së Bardhë dhe hapi zjarr ndaj tyre.
Pak para orës 18:00 sipas kohës lindore amerikane (ET), një individ iu afrua një pike kontrolli jashtë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë dhe nisi të qëllonte ndaj oficerëve, tha një zëdhënës i Shërbimit Sekret, duke iu referuar hetimeve paraprake.
Oficerët e Shërbimit Sekret iu kundërpërgjigjën me armë zjarri dhe goditën të dyshuarin, i cili më pas vdiq në një spital të zonës, shtoi zëdhënësi.
“Gjatë të shtënave, edhe një kalimtar u godit nga plumbat. Ende nuk është e qartë nëse kalimtari u plagos nga të shtënat fillestare të të dyshuarit apo gjatë shkëmbimit të mëvonshëm të zjarrit,” tha më tej zëdhënësi.
Personeli i Shërbimit Sekret nuk pësoi lëndime, ndërsa presidenti Donald Trump ndodhej në rezidencë dhe nuk u prek nga incidenti, tha zëdhënësi. Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Trump është informuar nga Shërbimi Sekret për ngjarjen.
Sipas një zyrtari të zbatimit të ligjit, kalimtari ndodhet në gjendje kritike.
Gazetarët e CNN dëgjuan atë që dukej si dhjetëra të shtëna pranë Shtëpisë së Bardhë pak pas orës 18:00 ET, duke shkaktuar një izolim rreth 40-minutësh për median në terren dhe një reagim të menjëhershëm nga Shërbimi Sekret.
Të shtënat nisën gati një orë pasi ishte shpallur “press lid” në orën 17:06, një sinjal që gazetarët nuk prisnin ta shihnin më Trump gjatë pjesës së mbetur të ditës. Në atë moment, shumë gazetarë dhe staf i shtypit të Shtëpisë së Bardhë kishin lënë tashmë kompleksin.
Anëtarët e trupës së gazetarëve në lëndinën veriore u dërguan me shpejtësi në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë, ku u udhëzuan të strehoheshin në vend, ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret bërtisnin “shtrihuni” dhe paralajmëronin për “të shtëna me armë”. CNN numëroi rreth dy duzina gazetarësh të strehuar në sallë gjatë izolimit, përfshirë fotografë, producentë, fotoreporterë dhe korrespondentë.
Pas incidentit, agjentë të Shërbimit Sekret të armatosur me pushkë u panë duke lëvizur në zonën e lëndinës veriore dhe duke bllokuar sallën e konferencave për shtyp të Shtëpisë së Bardhë. Izolimi u hoq pak pas orës 18:45 ET.
Ngjarja ndodhi pasi disa zyrtarë të lartë të administratës, përfshirë shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Ëiles, Sekretarin e Thesarit Scott Bessent dhe zv.presidentin JD Vance, u filmuan nga kamerat e CNN duke u larguar nga kompleksi i Shtëpisë së Bardhë.
Trump qëndroi në Uashington këtë fundjavë pasi anuloi një udhëtim të planifikuar drejt klubit të tij të golfit në Neë Jersey.
CNN tha se ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë, Policinë Metropolitane të Uashingtonit dhe Departamentin e Zjarrfikësve dhe Emergjencave Mjekësore për koment.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, shkroi në platformën X se agjencia “ndodhet në vendngjarje dhe po mbështet Shërbimin Sekret në reagimin ndaj të shtënave pranë territorit të Shtëpisë së Bardhë, do ta përditësojmë publikun sapo të kemi mundësi.”
Selina Wang, korrespondentja kryesore e ABC News për Shtëpinë e Bardhë, publikoi një video në X ku shihet momenti kur dëgjohen të shtënat dhe ajo përkulet për t’u mbrojtur.
“Isha duke regjistruar me iPhone për një video sociale nga lëndina veriore e Shtëpisë së Bardhë kur dëgjuam të shtënat. Dukej si dhjetëra plumba. Na thanë të vraponim drejt sallës së konferencave për shtyp, ku po qëndrojmë tani,” shkroi ajo.
Incidenti ndodh më pak se një muaj pas darkës së Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, ku gazetarë dhe zyrtarë të administratës Trump u detyruan të strehoheshin pasi u dëgjuan të shtëna.
I dyshuari në atë incident, Cole Tomas Allen, kishte kaluar me vrap një pikë kontrolli sigurie me një armë gjahu në dorë, duke shkëmbyer zjarr me agjentët e Shërbimit Sekret që e ndiqnin, sipas pamjeve të sigurisë. Ai është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për tentativë për të vrarë Trump dhe akuza të tjera./TCH