Haradinaj kritikon Kurtin për energjinë: Mbi 923 milionë euro për importe, pa asnjë projekt strategjik

Prishtinë | 15 Qer 2026 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për menaxhimin e sektorit të energjisë, duke e akuzuar për mungesë të investimeve strategjike dhe dështim në realizimin e premtimeve për pavarësi energjetike.

Përmes një reagimi publik, Haradinaj tha se qeveria e udhëhequr nga Kurti kishte premtuar transformim energjetik, zhvillim ekonomik dhe zvogëlim të varësisë nga importi i energjisë, por sipas tij, pas më shumë se pesë vitesh në pushtet, rezultatet mungojnë.

“Albin, Kur nuk ke rezultate, flet për të kaluarën. Kur nuk ke projekte, flet për projekte që nuk u realizuan. Kur nuk ke përgjigje për të tashmen, sulmon ata që kanë marrë vendime para teje. Por qytetarët e Kosovës nuk jetojnë në vitin 2018. Qytetarët jetojnë në vitin 2026. Dhe pas pesë-gjashtë viteve të qeverisjes sate, bilanci është i qartë”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, kur e mori pushtetin Kurti, premtoi transformim energjetik, pavarësi energjetike nga importi, zhvillim ekonomik dhe investime strategjike.

“Sot, pas pesë-gjashtë vjetësh: Kosova ende nuk e prodhon energjinë që konsumon, pra nuk mund ta mbulojë konsumin; Kosova vazhdon të mbetet importuese neto e energjisë elektrike; Sipas të dhënave të Energy Community, në vitin 2024 Kosova ka prodhuar rreth 6,059 GËh energji elektrike, ndërsa ka konsumuar rreth 6,611 GWh, duke mbetur me deficit prej mbi 550 GËh; Kërkesa/ngarkesa kulmore (në peak) në vitin 2025 ka arritur rreth 1,600 MW, ndërsa kapaciteti operativ ka qenë rreth 1,241 MW: Kosova ende mbështetet pothuajse tërësisht në termocentralet me linjit të ndërtuara para më shumë se pesë dekadash; Nuk është ndërtuar asnjë termocentral i ri; Nuk është ndërtuar asnjë central me gaz; Nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri bazik prodhues që garanton sigurinë energjetike afatgjate të vendit”, ka shkruar ai.

Tutje siç ka shkruar Haradinaj: “Por le të flasim edhe për faturën që po e paguan Kosova për mungesën e investimeve strategjike. Sipas të dhënave të publikuara për blerjen e energjisë elektrike: Nga 01.01.2015 deri më 31.12.2020 janë shpenzuar mbi 270 Mil EUR për blerje të energjisë elektrike; Nga 01.01.2021 deri më 31.03.2026 janë shpenzuar mbi 923 Mil EUR për blerje të energjisë elektrike. Pra, gjatë qeverisjes suaj janë shpenzuar mbi 923 milionë EUR , ose mbi 652 milionë EUR më shumë sesa në periudhën paraprake”.

Të ngjashme