Policia jep detaje lidhur me shpërthimin në Prizren

Prishtinë | 16 Qer 2026 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

Policia ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin në Prizren, duke njoftuar se i njëjti është shkaktuar me granatë dore.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi për Klankosova.tv bëri të ditur se ankuesit dhe dëshmitarët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve.

“Me datën 16.06.2026, rreth orës 03:30, Policia është njoftuar për një shpërthim në rrugën “Brigada 128” në Prizren, i cili kishte shkaktuar zhurmë të madhe.Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontaktuar me ankuesit dhe dëshmitarët, të cilët kanë deklaruar se derisa ishin në gjumë janë zgjuar nga zhurma e dy shpërthimeve”, tha ai.

Bytyqi gjithashtu njoftoi se si pasojë e shpërthimit është përfshirë nga zjarri një veturë, derisa është dëmtuar edhe fasada e një shtëpie.

Ndërkaq, përveç dëmeve materiale, nuk është raportuar për persona të lënduar.

Në konfirmimin, Bytyqi deklaroi se dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore.

“Si pasojë e shpërthimit, është përfshirë nga zjarri një veturë në pronësi të njërës viktimë, ndërsa është dëmtuar edhe fasada e shtëpisë së një viktime tjetër. Përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Nga ekzaminimi fillestar i vendit të ngjarjes dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një granatë dore”, tha ai.

Sipas ankuesve, vlera e përgjithshme e dëmit material është e konsiderueshme, ndërkaq policia deklaron se motivet e rastit ende nuk dihen.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore, hetuesit kujdestarë, Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive e Policisë, si dhe mbikëqyrës e eprorë policorë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, tha Bytyqi.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit u shpreh gjithashtu se rasti është duke u hetuar.

Të ngjashme