Rivarrimi i Hajdar Pepajt, Haradinaj: Sakrifica e tij na obligon ta ruajmë lirinë

Prishtinë | 21 Qer 2026 | 18:05 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj mori pjesë në rivarrimin e dëshmorit, Hajdar Pepaj në Kodrali të Deçanit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se sakrifica e Pepajt dhe gjithë të rënëve ndër shekuj, i obligon të forcojnë shtetin dhe ta ruajnë me nder lirinë për të cilën u derdh gjak.

“Shqiptarët ndër shekuj luftuan për liri në trojet e tyre. Kaluam shumë vuajtje e sakrifica si popull. Shumë breza shqiptarësh u flijuan për liri dhe shtet, ëndërr që u kurorëzua me luftën çlirimtare të UÇK-së. Sot, me shumë miq, bashkëluftëtarë dhe familjarë, mora pjesë në rivarrimin e dëshmorit Hajdar Pepaj, i cili nga sot do të prehet në vendlindjen e tij në Kodrali të Deçanit, trevë e shumë luftëtarëve të zotë që i dhanë kahje luftës kundër armikut. Përgjithmonë krenar me heronjtë tanë dhe me rrugëtimin tonë drejt lirisë!”, ka shkruar ai.

Të ngjashme