Hoxhaj për Samitin në Ankara: NATO ftoi 10 vende joanëtare, Kosova humbi një mundësi diplomatike

Prishtinë | 30 Qer 2026 | 10:25 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se “në një botë gjithnjë e më të pasigurt”, ftesa më e rëndësishme për Kosovën do të ishte pjesëmarrja në Samitin e NATO-s që mbahet javën e ardhshme në Ankara.

Deri më sot, Kosova nuk u ftua, shton Hoxha.

Mospranimin e një ftese e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme ditë më parë, duke thënë: “Republika e Kosovës nuk merr pjesë në Samitet e NATO-s në cilësinë e shtetit pjesëmarrës, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës dhe aktualisht nuk është pjesë e Programit të Partneritetit për Paqe (Partnership for Peace – PfP)”.

Por, Hoxhaj thotë se në këtë samit janë ftuar dhjetë shtete që nuk janë anëtare të NATO-s.

“Ato nuk kanë as partneritet formal me Aleancën, nuk janë pjesë e programit Partneriteti për Paqe dhe as nuk ndodhen në ndonjë proces anëtarësimi. Kjo dëshmon se, kur ekziston vullneti politik, ka mënyra të ndryshme për të përfshirë partnerë të rëndësishëm, qoftë me ftesë të vendit nikoqir, të vetë Aleancës, të një shteti anëtar, apo edhe në aktivitetet dhe takimet përcjellëse të samitit”.

Ai shton se Kosova është një partner i dëshmuar i NATO-s, me kontribut në sigurinë rajonale dhe me orientim të qartë euroatlantik.

“Pikërisht për këtë arsye, prania e Kosovës në samite të tilla duhet të jetë synim i vazhdueshëm i politikës së jashtme”.

Hoxhaj thotë se diplomacia matet me praninë në tavolinat ku merren vendimet dhe se “kur mungon në ato tavolina, mungon edhe mundësia për ta forcuar pozitën ndërkombëtare të shtetit”.

Të ngjashme