Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) ka reaguar pas caktimit të 16 shtatorit si datë për shpalljen e aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke e cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të papranueshëm.
Përmes një reagimi publik, OVL-UÇK tha se caktimi i kësaj date përbën një tjetër “raund të poshtërimit publik” ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“OVL UÇK, caktimin e 16 shtatorit si raundin e radhës të poshtërimit publik ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit; e konsideron të padrejtë dhe të papranueshëm”, thuhet në reagim.
Sipas organizatës, shtyrjet e njëpasnjëshme të procesit gjyqësor dëshmojnë se procesi nuk është i bazuar në drejtësi.
“Shtyrjet e njëpasnjëshme, të maskuara si përgjigje ndaj vëllimit dhe kompleksitetit, vërtetojnë atë që kemi theksuar që në fillim: ky proces është thjesht në shërbim të politikës së Serbisë dhe aleatëve të saj, me qëllim që ta ulë në bankën e të akuzuarve Luftën Çlirimtare, ndërkohë që amniston makinerinë gjenocidiale të shtetit fashist serb, duke e shpëtuar nga llogaridhënia”, theksohet në deklaratë.
OVL-UÇK ka kritikuar edhe qasjen e disa qarqeve ndërkombëtare, duke pretenduar se ato kanë penguar afirmimin e vlerave të luftës çlirimtare.
“Asnjë kalendar gjyqësor nuk e rishkruan themelin e lirisë së Kosovës, luftën e drejtë për mbijetesë. Misionin që dikur e kishte EULEX, po e vazhdon me besnikëri Haga, ndërkohë që qasja e disa qarqeve ndërkombëtare, që shpesh deklarohen si partnere të Kosovës, ka krijuar barriera të vazhdueshme ndaj vlerave të Luftës Çlirimtare dhe ka penguar zhvillimin e plotë të vendit tonë”, thuhet më tej.
Organizata ka paralajmëruar protesta, duke mos përjashtuar edhe përshkallëzimin e tyre.
“Kjo situatë nuk mund të tolerohet më. Rezistenca jonë do të zhvendoset në rrugë përmes protestave, duke mos përjashtuar mundësinë e përshkallëzimit të tyre nëse zëri ynë vazhdon të injorohet”, thotë reagimi i OVL-UÇK-së.