Dogana zbulon mall dhe 29,900 euro të padeklaruara në Han të Elezit, sekuestrohet edhe automjeti

Prishtinë | 07 Kor 2026 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mall me natyrë komerciale dhe 29,900 euro të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinor në Pikën e Kalimit Kufitar në Han të Elezit.

Sipas njoftimit të Doganës, automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde.

“Automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur për kontroll nga zyrtarët doganorë, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde të kontrollit. Gjatë intervistimit fillestar, drejtuesi i automjetit ka deklaruar se nuk posedonte asnjë mall apo mjet monetar për deklarim”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, gjatë kontrollit fizik, zyrtarët kanë konstatuar se në automjet ndodhej mall me karakter komercial që nuk ishte deklaruar, ndërsa tek drejtuesi dhe pasagjeri janë gjetur edhe para të gatshme.

“Gjatë kontrollit fizik të automjetit është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar”, thekson Dogana.

Autoriteti doganor rikujton se, sipas legjislacionit në fuqi, çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10 mijë euro ose më shumë në para të gatshme apo instrumente të negociueshme është i obliguar t’i deklarojë ato pranë autoriteteve doganore.

“Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-247 – Kodi Doganor dhe i Akcizave i Republikës së Kosovës, çdo person ka detyrim ligjor të deklarojë mallrat që i nënshtrohen procedurave doganore, ndërsa mosdeklarimi përbën kundërvajtje doganore dhe i nënshtrohet masave administrative dhe ndëshkuese të parapara me ligj”, thuhet në njoftim.

Dogana shton se edhe mosdeklarimi i mjeteve monetare përbën shkelje ligjore dhe mund të rezultojë me konfiskim të përkohshëm të tyre dhe zhvillim të procedurave përkatëse.

Lidhur me rastin, autoritetet kanë bërë të ditur se janë sekuestruar malli i padeklaruar, paratë e gatshme dhe automjeti, ndërsa do të vazhdojnë procedurat ligjore.

“Në këtë rast, malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti janë sekuestruar për zhvillimin e procedurave të mëtejshme ligjore. Në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, ndaj palës do të ndërmerren masat e parapara, përfshirë konfiskimin e përqindjes së mjeteve monetare sipas vendimit të autoritetit kompetent dhe procedurat për kundërvajtje doganore”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme