Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka deklaruar se raporti i auditimit për Komunën e Prishtinës për vitin 2025 është raporti më i rëndë që e ka pranuar ndonjëherë kryeqyteti.
Sveçla në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se nuk bëhet fjalë për pretendime të opozitës, por për konstatime të Zyrës Kombëtare të Auditimit(ZKA).
“Ky raport ka një varg të gjeturash, secila më e rëndë se tjetra dhe çka është më e keqja, në konkluzionin për pajtueshmëri është i kundërt, që i bie që Komuna e Prishtinës pothuajse të gjitha procedurat që i ka zhvilluar gjatë vitit 2025 i ka në kundërshtim me ligjin”, tha Sveçla.
Ai shtoi se kjo dëshmon se shkeljet nuk janë sporadike dhe nuk janë të rastit, por janë të përhapura pothuajse në secilin proces, qoftë tenderues apo administrativ që e ka organizuar Komuna e Prishtinës.
Sveçla tha se ndër të gjeturat kryesore të raportit janë fakti se 45 milionë euro të buxhetit të Prishtinës kanë përfunduar në procedura gjyqësore, mbi 10 milionë euro investime janë zhvendosur pa miratimin e Kuvendit Komunal, mbi 8 milionë euro fatura janë të papaguara dhe mbi 7 milionë euro të tjera të Komunës së Prishtinës janë keqklasifikuar.
“Ndër të gjeturat kryesore të raportit janë fakti se 45 milionë euro të buxhetit të Prishtinës kanë përfunduar në procedura gjyqësore, mbi 10 milionë euro investime janë zhvendosur pa miratimin e Kuvendit Komunal, mbi 8 milionë euro fatura janë të papaguara dhe mbi 7 milionë euro të tjera të Komunës së Prishtinës janë keqklasifikuar” tha ai. Të gjitha këto dëshmojnë që bëhet fjalë për keqpërdorime masive si asnjëherë më parë dhe si askush më parë”, deklaroi ai.
Sipas Sveçlës, të gjeturat e auditorit kundërshtojnë ose e hudhin posht narrativën e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, të cilën e kanë ngritur gjatë vitit 2025 për kinse bllokadë nga niveli qendror.
“Raporti sqaron qartë se në shumë projekte, siç është sheshi “Xhorxh Bush” ose siç është pastaj ishulli urban, lidhja e Arbërisë me Qendrën, po edhe “Tregu i Gjelbër”, Komuna e Prishtinës i ka filluar procedurat tenderuese, po edhe punën ndërtimore pa leje dhe pa pëlqimet e nevojshme. Pastaj kjo ka rezultuar me pezullim të punëve, dhe është qartë, konstatohet që nuk bëhet fjalë për bllokadë të nivelit qendror, por mosrespektim të ligjit dhe të procedurave nga Komuna e Prishtinës”, u shpreh ai.
Ai tha se e gjithë kauza që, sipas tij, e ka ngritur Rama gjatë vitit 2025 ka qenë kauzë fallso dhe një alibi që do t’i shërbej atij për të arsyetuar dështimin në qeverisjen e tij.
“Ky raport nuk duhet të mbetet në sirtarët e institucioneve. Ky raport është thirrje e hapur për Prokurorinë e Shtetit që të njëjtin ta hetojë, sepse argumentet dhe faktet e konstatuara janë prova të pakontestueshme që keqmenaxhimi në Komunën e Prishtinës ka marrë përmasa të mëdha. Ndërkohë që për përgjegjësinë politike, si asambleistë dhe si Lëvizje Vetëvendosje në kryeqytet, të njëjtën do ta kërkojmë edhe në sallë në Kuvend, po kudo që të na paraqitet mundësia”, shtoi ai.
