Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke krahasuar zhvillimet e fundit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Malit të Zi me situatën në Kosovë.
Sipas Miftarajt, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se Dialogu Strategjik me Kosovën do të zhvillohet pasi të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj komunitetit serb, Shqipëria dhe Mali i Zi po vazhdojnë të shënojnë përparim në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai rikujton se më 14 korrik 2026, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapituj të negociatave – Kapitullin 25 (Shkenca dhe Kërkimi), 26 (Arsimi dhe Kultura) dhe 30 (Marrëdhëniet me Jashtë), duke bërë që tashmë t’i ketë hapur të 33 kapitujt. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe dy kapituj të tjerë – Kapitullin 8 (Politika e Konkurrencës) dhe 29 (Bashkimi Doganor), duke arritur në 18 kapituj të mbyllur përkohësisht.
Në kontrast me këto zhvillime, Miftaraj ironizon se gjatë shtatë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë janë “mbyllur” procese të tjera.
Në postimin e tij, ai përmend blerjen e banesës së ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, blerjen e një shtëpie nga ministrja Arbërie Nagavci, kontratat e konsulencës në Ministrinë e Drejtësisë, tenderët në KEK, blerjen ose marrjen me qira të veturave zyrtare për Kryeministrin, si dhe kritikon opozitën, për të cilën thotë se është e angazhuar më shumë në emisione televizive dhe vizita turistike sesa në ushtrimin e rolit të saj politik.
Postimi i Miftarajt përbën qëndrimin e tij personal dhe përmban akuza e vlerësime politike ndaj qeverisë dhe opozitës, të cilat nuk janë të verifikuara në mënyrë të pavarur.