Një shtëpi është shembur në rrugën A në kryeqytet.
E kjo ka alarmuar policinë dhe zjarrfikësit, të cilët dolën në vendin e ngjarjes.
Komandanti i Zjarrfikësve Malë Gashi, ka folur për Klankosova.tv lidhur me rastin.
“Nuk ka qenë intervenim. Zjarrfikësit janë thirrur për arsye të sigurisë me qenë aty”, deklaroi Gashi.
Shkurtimisht rreth kësaj ngjarje u prononcua për Klankosova.tv. edhe drejtori i Emergjencave Lulzim Fushtica.
“Ekipet janë në vendin e ngjarjes”, tha shkurtimisht ai pa dhënë detaje tjera.
E sipas pronares së shtëpisë deri në këtë gjendje ka ardhur si pasojë e punimeve në afërsi të shtëpisë.
Ajo tregoi edhe se si kohë më parë ka ndodhur rasti i parë i shembjes.
“Është ndalur rryma. S’kemi ditë kah me ia mbajtë. Stres, ankth…. mërzi. Edhe kanë ardhë Drejtoria Emergjencave të cilët i falënderoj, kanë ardhur në kohë rekord edhe na kanë evakuuar prej shtëpisë edhe na kanë thënë me gjetë një vendbanim të përkohshëm”, deklaroi ajo.
“Të nesërmen kanë ardhur prapë me Drejtorinë e Investimeve Kapitale edhe i kanë vendosur shiritat”, shtoi ajo.
Pronarja theksoi se edhe pas rekomandimit të Drejtorisë së Emergjencave që me u ndërprerë punimet, ato kanë vazhduar nga menaxheri i kontratës dhe si pasojë ka rënë muri i përparmë i shtëpisë.
“Bile ka hyrë edhe në thellësinë e themelit të shtëpisë. I kam njoftuar zyrtarët komunalë në atë kohë… unë s’kam qenë në shtëpi, besoj që kanë ardhur. Nuk më kanë njoftuar, a kanë ardhur apo jo nuk e di”, deklaroi ajo.
Pronarja tha se mbrëmë është njoftuar nga fqinjët se shtëpia u shemb e tëra.