Ushtarët e Ekipit të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak, të angazhuar në Komandën Rajonale-Perëndim të KFOR-it, kanë dorëzuar një Dhomë Familjare të pajisur rishtazi në Stacionin Policor të Kosovës në Pejë.
Sipas KFOR-it, dhoma është projektuar në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe synon të ofrojë një ambient të sigurt, privat dhe mikpritës për viktimat e dhunës në familje.
Në këtë hapësirë, viktimat do të mund të flasin me zyrtarët policorë në kushte më të përshtatshme, me më shumë rehati dhe besim.
KFOR-i tha se kjo nismë dëshmon angazhimin e vazhdueshëm për bashkëpunim me institucionet vendore dhe për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.