Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka paralajmëruar se bllokada institucionale në Kosovë rrezikon mbi 34 milionë euro nga Plani i Rritjes, të lidhura me reformat për zhvillimin e sektorit privat.
Sipas IKD-së, deri në fund të vitit 2026, Kosova duhet të përmbushë shtatë hapa në Fushën 3 të Planit të Rritjes, me vlerë rreth 34.4 milionë euro.
Këto mjete, sipas IKD-së, lidhen drejtpërdrejt me reforma që synojnë përmirësimin e mjedisit të biznesit, rritjen e investimeve, mbështetjen e ndërmarrjeve dhe zgjerimin e qasjes në financa.
Obligimet përfshijnë funksionalizimin e institucioneve për ndihmën shtetërore, investimet dhe eksportin, miratimin e Ligjit për Inovacion dhe Ndërmarrësi, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve publike, përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së në transportin e mallrave, si dhe avancimin e kornizës ligjore për institucionet mikrofinanciare dhe financiare jobankare.
IKD vlerëson se këto nuk janë vetëm reforma teknike, pasi një pjesë e tyre kërkon miratimin e ligjeve në Kuvend, ndërsa të tjerat kërkojnë vendimmarrje dhe institucione funksionale.