Ymeri akuzon Abdixhikun për “deklarata të paqena”: Përtej negociatave po fshihet një hall i madh

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar atë se në videot propagandistike të Lëvizjes Vetëvendosje po përdoren deklarata të tij për të sulmuar deputetët e partisë.

Ymeri ka thënë se përveç sulmeve, në këtë rast janë paraqitur edhe deklarata që, sipas saj, janë tërësisht të pavërteta për qëndrimin e saj.

“Nga sot, në videot propagandistike të Vetëvendosjes do të shihni edhe deklaratat e z. Abdixhiku duke sulmuar deputetët e tij, ndonëse ky i fundit është kryetar i LDK-së dhe jo i Vetëvendosjes. Përveç sulmeve, ka edhe veshje të deklaratave tërësisht të pavërteta, në këtë rast për mua. E para, ferizajasit nuk flasin me “s’nDi”… kush më njeh e di se si flas.

E dyta, as që i kam përmendur Këshillin, Kryesinë apo Kuvendin, e aq më pak të kem thënë se nuk i respektoj. Si mund të thoja diçka të tillë, kur vetë jam pjesë e Këshillit të Përgjithshëm? Përkundrazi, kam shprehur kundërshtimin tim për kandidaturën presidenciale, për shkak se jam deklaruar që para zgjedhjeve kundër votës për VV-në, por edhe për shkak të profilit të kandidatit. Për më tepër, e kam përmbyllur deklaratën duke thënë se i kam parasysh pasojat nga organet e partisë dhe i respektoj ato, por ky mbetet qëndrimi im”, ka shkruar Ymeri.

Ajo ka thënë se nuk e di arsyen se përse kryetari i partisë së saj ka bërë deklarata që, sipas saj, nuk janë thënë prej saj, duke shtuar se për fjalët e saj ka edhe dëshmitarë.

“Se pse është ndjerë në hall kryetari i partisë sime për të shpikur deklarata të paqena nuk e di, por unë kam dëshmitarë 15 deputetë të tjerë, 1 anëtar kryesie dhe 2 persona nga stafi i selisë, të cilët ishin të pranishëm në sallë. Këtë postim nuk e bëra për t’u arsyetuar, se fundja dëshmitar kam Zotin, që është më se i mjaftueshëm, por dua t’i tregoj gjithsecilit se çfarë ndodh dhe si ndryshojnë njerëzit në luftën pro dhe kundër mafisë e së keqes”, ka deklaruar ajo.

Ymeri ka ngritur dyshime se përtej negociatave aktuale politike mund të ketë interesa të tjera, duke përmendur tregtinë me energjinë elektrike.

“Thënë këtë, jam e sigurt se përtej kësaj skene negociatash po fshihet një hall i madh, që mund të jetë lirisht edhe bixhozi i këtij shteti: tregtia me energjinë elektrike”, ka përfunduar Ymeri.

Të ngjashme