Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas shpalljes së vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një padrejtësi të madhe.
Përmes një postimi, Lladrovci bëri të ditur se vendimin e ka përcjellë bashkë me qytetarët nga Sheshi i Drenasit, ndërsa u shpreh i tronditur nga dënimet e shqiptuara.
Ai nënvizoi se pafajësia ishte i vetmi vendim i drejtë për çlirimtarët.
“Shpifjet dhe tendencat e disa shteteve jomiqësore ndaj lirisë dhe punën për ta kriminalizuar UÇK-në, ranë poshtë. Shënjestrimi i heronjve tanë nga shteti gjenocidal, për baltosjen e qëllimeve dhe veprimeve të çlirimtarëve, është i njohur. Janë akuza shekullore të zbatuara me gjenerata, pre e të cilave ranë edhe ky trup gjykues. Adresa e vetme e krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë, është Serbia.
Kundërshtimi i fuqishëm i këtyre vendimeve të padrejta mbetet prioritet i mbrojtjes së heronjve tanë të luftës dhe paqes, por edhe institucioneve të Kosovës.
UÇK është vetë liria, liria nuk gjykohet”, shkroi ai.