Çlirim Haziri, djali i veprimtarit dhe dëshmorit Xhavit Haziri, u ka bërë thirrje qytetarëve që sonte, nga ora 21:00, të mblidhen sërish në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, këtë herë në kundërshtim të aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një natë pasi së bashku me qytetarë të tjerë e kaloi natën në shesh në pritje të vendimit, Haziri tha se vendimi i sotëm përbën një goditje të rëndë për Kosovën.
“Me shpresën dhe bindjen e fortë për drejtësi, mbrëmë na zbardhi mëngjesi në shesh. Por sot, u përballëm me një goditje të rëndë. Vargut të gjatë të dhimbjeve e padrejtësive që na kanë përcjellë ndër breza iu shtua edhe vendimi i sotëm i gjykatës”, ka shkruar Haziri.
Ai e ka cilësuar vendimin si të papranueshëm, duke thënë se, sipas tij, ai bie ndesh me të vërtetën për luftën dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.
“Dënimi i sotëm godet themelet e lirisë sonë. Si i tillë, ai është totalisht i papranueshëm për ne”, ka deklaruar Haziri.
Haziri ka theksuar se kundërshtimi ndaj vendimit do të vazhdojë, duke thënë se “dorëzimi nuk ka qenë kurrë opsion”.
“Ata që presin të na shohin të thyer apo të heshtur përballë kësaj thike, gabohen rëndë. Ne nuk do të heshtim! Çekani i tyre nuk mund të na e mbyllë gojën”, ka shkruar ai.
Djali i Xhavit Hazirit u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen jo vetëm sonte, por edhe në ditët dhe javët në vazhdim, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Ju ftoj që sonte, sërish në orën 21:00, të takohemi në Sheshin ‘Skënderbeu’. Këtë herë, jo për të pritur në heshtje, por për të shpalosur qëndresën tonë”, ka bërë thirrje Haziri.
“UÇK-ja ishte e popullit dhe populli nuk e braktis kurrë UÇK-në. Sonte, ju pres në shesh!”
Tubimi është paralajmëruar për sonte, në ora 21:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.