Bijtë.
(Mësuesit e mi më të rinj.)
…
Jemi mësuar me djem të Instagramit që i mashtrojnë vajzat për një pije;
me djem të Big Brother-it që qajnë para kamerave sepse babai nuk ua ka blerë një lodër kur kanë qenë fëmijë;
me djem të TikTok-ut që flasin për pavarësinë ndërsa nana ende ua blen burekun.
Jemi mësuar me rebelë pa kauzë.
Dhe me burra të pavendosur që ende e ndërrojnë emrin e profilit në Facebook.
Dhe pastaj, në mes të një tragjedie, shfaqen disa djem me një edukatë që… të lë pa mend.
– Endrit Thaçi.
Mahnitës.
Menaxhon zemërimin, dhimbjen dhe ndjenjat me një saktësi që do ta kishin zili edhe Seneka, edhe Buda.
Nuk shpërthen, nuk kërkon skenë, nuk përpiqet ta bindë askënd se sa shumë po vuan.
E mban veten sikur brenda tij të ekzistonte një rend që tragjedia nuk po arrin ta prishë.
– Klestor Veseli.
Çfarë strukture e brendshme!
Arrin të jetë tamam serioz dhe tamam i qeshur.
Pa bërë me gisht kah askush.
Pa e kërkuar fajtorin në çdo fytyrë që i del përpara.
Ka diçka pothuajse mitologjike në atë përmbajtje, diçka që ta kujton kohën kur fjala peshonte sa… morali.
Madje ka diçka edhe më të rrallë:
ata i ngushëllojnë të tjerët për dhimbjen e tyre.
Prandaj më mahnitin.
Kanë arsye të bërtasin, por flasin pak.
Kanë arsye të zemërohen, por nuk e përhapin zemërimin.
…
Madhështinë e prishin fjalët e tepërta dhe ndjenjat e papërmbajtura.
Tek ata, gjithçka është pabesueshëm e saktë.
Përballë padrejtësisë mizore, ruajnë një lloj përmbajtjeje pothuajse hyjnore:
pa shpallur fundin,
pa e paraprirë tragjedinë,
pa ia dhënë frikës fjalën e fundit.
…
Historia na ka mësuar me bij që tradhtojnë etërit;
mitologjia me bij që i rrëzojnë;
oborret mbretërore me bij që presin fronin;
ndërsa koha jonë na ka mësuar me bij që trashëgojnë mbiemrin si profesion para se të trashëgojnë karakterin.
Prandaj është e çuditshme që nga kjo tragjedi u zbulua një bukuri e rrallë:
disa djem që, pa bërë asgjë, vetëm me mençuri dhe edukatë, duken sikur kanë ardhur nga një botë tjetër.
Një botë e mirë.
Duken si bijtë e Perëndisë.
Jo sepse nuk vuajnë.
Por sepse dinë çfarë të bëjnë me vuajtjen.
…
EPILOG
Janë shqiptarët e parë që ua kam lakmi.
Dhe mësuesit e mi më të rinj.
…
P.S. E di. Edhe djemtë qajnë.
Kur s’i sheh askush.
Veç Perëndia.
…
AUTOKRITIKË
Këtë shkrim e shkrova duke ecur.