I dërguari i dikurshëm amerikan për bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë diplomati Christopher Hill ka komentuar rreth verdiktit të Gjykatës Speciale e cila i dënoi krerët e UÇK’së me 81 vjet burg.
Hill ka thënë se është i zhgënjyer në vendimin derisa ka theksuar se beson që Hashim Thaçi s’ka qenë i përfshirë në veprimtari të paligjshme.
I pyetur për të komentuar rreth iniciativave të mundshme për zhbërjen e Speciales, Hill ka thënë se avokatët duhet t’i përgatisin hapat e tyre të radhës.
“Jeni duke pyetur një diplomat për një pyetje ligjore dhe do ju kërkoja që të flisni më mirë me një jurist të çështjeve të të drejtës ndërkombëtare. Përgjigjja ime është: Nuk e di, vërtet nuk e di. Ajo çka unë di, është nevoja për avokatët e palës mbrojtëse, që të planifikojnë hapat e tyre të radhës” ka thënë Hill.
“Unë di po ashtu se duhet të kemi një zgjidhje të kësaj situate, të cilën do e shikojmë si drejtësia, e cila do jetë në përputhje me faktet.
Shpresoj se kjo të ecë përpara në mënyrë pozitive dhe ashtu si njerëz të tjerë edhe unë jam shumë i zhgënjyer me vendimin e marrë nga Gjykata Speciale vitet e fundit.”, ka shtuar ai.