Shkollat pa ngrohje në Prishtinë, Elshani e akuzon Qeverinë për bllokadë

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 10:40 | Nga Gzim Mujaj

Problemi me ngrohjen në disa shkolla të Prishtinës lidhet me bllokimin e kodit buxhetor për pagesën e operatorit ekonomik, si pasojë e bllokadës qeveritare, ka deklaruar në një intervistë për Ekonomia Online drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Arianit Elshani.

Sipas tij, vështirësitë me ngrohjen janë pasojë e punimeve të papërfunduara në kuadër të një projekti për instalimin e sistemeve të reja të ngrohjes dhe rritjen e efiçiencës së energjisë në shkollat e Prishtinës.

Elshani ka thënë se projekti ka mbetur në gjysmë që nga gushti, ndërsa punimet janë ndërprerë në shtator, pasi operatorit ekonomik i është bllokuar kodi buxhetor për realizimin e pagesave.

“E para, lidhur me çështjen e raportimit për bojkotimin e mësimit në këto dy shkolla bëhet fjalë për çështje të higjienës që është kritike dhe pastaj dhe për çështjen e ngrohjes në këto shkolla. Lidhur me këtë çështje dua të sqaroj gjithë opinionin publik, që Drejtoria Komunale e Arsimit aktualisht nuk ka problem me furnizimin me pelet edhe me naftë. Pra, në këtë çështje, lidhur me këto furnizime ne jemi në rregull si Drejtori Komunale e Arsimit dhe të gjitha shkollat”, tha Elshani.

I pari i Arsimit në kryeqytet ka sqaruar se problemi qëndron te valvulat e sistemeve të ngrohjes, të cilat operatori ekonomik i ka marrë pas ndërprerjes së punimeve, duke pamundësuar funksionalizimin e tyre.

“Ku e kemi problemin aktualisht është tek valvulat e ngrohjes, pra të instaluara në shkollat tona. Pse është ky problem? Vjen për shkak të fondit të EBRD-së, pra një fond që në kuadër të Bankës Zhvillimore edhe Ministrisë së Financave, në këtë rast edhe komunës së Prishtinës, është dashur që të bëhej instalimi i ri i ngrohjeve në shkollat e Prishtinës e po ashtu dhe termoinzolimi, rregullimi i dritareve dhe sanimi i kulmeve për të krijuar efiçiencë në këto shkolla”.

“Çka ka ndodhur është që projekti ka mbetur në gjysmë dhe këtë raport e kemi prej gushtit e tutje, pra gjatë muajit gusht, gjatë muajit shtator dhe që nga shtatori kemi ndërprerje të punimeve nga operatori ekonomik për shkak të bllokadës qeveritare që është bërë, pra bllokimit të kodit buxhetor për t’i bërë pagesat ndaj operatorit. Dhe operatori i ka marrë të gjitha valvulat e këtyre ngrohjeve dhe ne i kemi të pamundur t’i funksionalizojmë”, tha Elshani.

Ai ka bërë të ditur se Drejtoria Komunale e Arsimit është duke ndjekur disa procedura, me synimin që gjatë javës së ardhshme të gjendet një zgjidhje për këtë problem.

“Ndërkohë, si Drejtori Komunale e Arsimit, jemi duke i ndjekur disa procedura që gjatë javës së ardhshme ta zgjidhim si Drejtori Komunale e Arsimit që të mos i lëmë viktimë në këtë rast nxënësit, mësimdhënësit edhe prindërit e kryeqytetit. Prandaj i kemi marrë këto veprime, por parimisht e kemi një bllokadë qeveritare lidhur me çështjen e ngrohjes. Pra, nuk bëhet fjalë për probleme në furnizim me pelet, nuk bëhet fjalë për probleme me furnizim me derivate për ngrohje, bëhet fjalë për punë të lëna në gjysmë dhe bllokadës që është bërë në këtë rast kodit buxhetor për operatorin ekonomik që ka qenë i kontraktuar”, potencoi ai.

Elshani ka thënë se zhbllokimi i kodit buxhetor do të mundësonte përfundimin e punimeve dhe realizimin e investimeve të planifikuara edhe në shkollat “Ismail Qemali” dhe “Hasan Prishtina”, përfshirë ndërrimin e dritareve, izolimin, fasadën, kulmet dhe instalimet e ngrohjes.

Ai ka shtuar se përgjegjësia për menaxhimin e kësaj çështjeje në nivel komunal i takon Drejtorisë së Transformimit, ndërsa ka kritikuar situatën e krijuar, duke thënë se nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit po mbeten viktima të një përplasjeje politike.

“Prej anës komunale, kjo përgjegjësi i ka takuar Drejtorisë së Transformimit, e cila gjatë tërë kohës ka tentuar që të zhvillojë takime, janë mbajtur disa takime, është bërë edhe një ftesë publike për të zhbllokuar kjo dhe është në diskrecion të një drejtorie tjetër për menaxhimin e tërësishëm të kësaj situate. Në këtë rast, Drejtoria Komunale e Arsimit, nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit dhe shkollat tona janë viktimë të një lufte politike që po zhvillohet për çështje të tjera”, potencoi Elshani.

Në fillim të këtij muaji është raportuar në media se 10 shkolla në kryeqytet nuk kanë ngrohje e disa prej tyre janë detyruar që mësimin ta mbajnë më orar të shkurtuar.

Madje në disa klasa, prindërit kanë siguruar vetë kondicionerë për ta bërë më të përballueshëm qëndrimin në shkollë.

Të ngjashme