Debat i ashpër për energjinë në Kuvend, Ymeri kritikon qeverinë, Rizvanolli kundërpërgjigjet

Prishtinë | 13 Nën 2026 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Në fokus të diskutimeve kanë qenë shpenzimet për importin e energjisë, gjendja financiare dhe operacionale e KEK-ut, siguria e punëtorëve, si dhe zbatimi i marrëveshjes për “Elektroserverin”.

Deputetja Ymeri ka adresuar kritika ndaj qeverisë për situatën në sektorin energjetik, duke u ndalur veçanërisht te kostoja e importit të energjisë elektrike.

Ajo ka bërë të ditur se për periudhën nga ora 17:00 deri në 18:00 ishte paraparë importimi i 275 megavatëve, me një çmim mesatar prej 162 eurosh për megavat, duke llogaritur se shpenzimi për këtë interval kalon 46 mijë euro.

“Sa për gjendjen elektroenergjetike sot, importin nga ora 17:00 deri në 18:00, është planifikuar 275 MW dhe çmimi mesatar është 162 euro, pra për momentin që ne flasim, dhe dikush pallavra, dikush të vërtetën, na kushton ora që duhet të jetë me çmim mesatar mbi 46 mijë euro. Vetëm për këtë orë që po flasim ne. Kjo është edhe gjendja mbas 6 vjet qeverisje, në sektorin e elektroenergjetikës”, tha Ymeri.

Gjatë fjalës së saj, ajo ka vënë në pikëpyetje edhe performancën e KEK-ut, duke përmendur 777 punësimet e realizuara gjatë vitit 2025, uljen e fitimit dhe prodhimit, si dhe nivelin e realizimit të investimeve kapitale.

“Në vitin 2025, në KEK i janë punësuar 777 persona. Ndonëse fitimi operativ ra, nga 38 milionë në 2 milionë, për pak sa mos me ra zero. Ndonëse fitimi neto ra çerek, nga 40 milionë, 10 milionë. Kesco gjithashtu i detyrohet KEK-ut 107 milionë që këta do t’i nacionalizojnë”, tha Ymeri.

Poashtu Ymeri përmendi edhe rastet ku dyshohet se kanë keqpërdorur me energji dhe sipas saj ia kanë financuar kryeministrit Albin Kurti konferencat në 2016-en.

“Në vitin 2016, Albin Kurti del në konferencë, ku sponsorë të konferencës janë HSE, kompania edhe GEN.Të dyja, po këtu, GEN del në import me Martin Berishaj, HSE-ja del në transaksionet e Nagip Krasniqit, pa të drejtë, pa licencë të tregtisë. Pra, kjo punë nisi që moti. Në vitin 2019-2020 u bënë ndryshimet. Kesh dhe po Martin Berishaj 2021 fituan zgjedhjet”, tha ajo.

Ndërkaq, ministrja Artane Rizvanolli ka reaguar ndaj kritikave për marrëveshjen me “Elektroserverin”, duke rikujtuar se procesi është mbështetur në një marrëveshje të mëhershme të vitit 2013.

“Është e vërtetë që e kemi finalizuar marrëveshjen në 2022, mirëpo kjo është e bazuar në një marrëveshje të cilën na nuk e kemi dashtë të vitit 2013, mirëpo as atë nuk keni qenë në gjendje me realizuar. Është dashur me ardhë ne pas 11 vjetëve edhe me filluar faturimi edhe me filluar pagesa atje”, tha Rizvanolli.

Rizvanolli ka dhënë përgjigje edhe lidhur me cilësinë e furnizimit me energji elektrike, duke iu referuar të dhënave për kohëzgjatjen e ndërprerjeve të rrymës në Kosovë.

“23 nëntor 2018 Qeveria kërkon që të ndërpriten reduktimet e energjisë, mirë po kjo është veç një titull. Gjërat nuk maten veç me tituj. Pra, 110 orë ka qenë SAIDI, koha mesatare e orëve që një familje kosovare nuk ka pasur rrymë në 2018. Në 2025, vlerësimi është 60, pra gati gjysma e kësaj”, tha ministrja.

Të ngjashme