Jashari: Specialja la të paqartë nëse Thaçit iu llogarit koha e kaluar në paraburgim

Prishtinë | 18 Nën 2026 | 07:31 | Nga Artiona Çitaku

Jashari në një bisedë për Ekonomia Online ka thënë se Gjykata nuk e ka bërë të qartë nëse Thaçit i është llogaritur koha e kaluar në paraburgim në kuadër të këtij dënimi.

“Ajo që u vërejt është që gjykata e la të paqartë se a e ka shlyer dënimin zoti Thaçi gjatë kohës që ka qëndruar në periudhën e paraburgimit apo jo. Kjo çështje nuk u tha qartë te zoti Thaçi, ndërsa te personat e tjerë u pa dhe u lexua shumë qartë që disa prej tyre dy që u shpallën fajtorë dhe u dënuan me nga 12 muaj burgim—gjykata ua kishte llogaritur dënimin, atë kohën e kaluar në paraburgim, dhe llogariti që dënimi është shlyer”, tha Jashari.

Ai e ka cilësuar procesin si një përpjekje për diskreditimin e figurës së Thaçit dhe ka ngritur shqetësime për mënyrën e mbikëqyrjes dhe përgjimit të tij, përfshirë edhe kontaktet me ekipin mbrojtës.

“Shiko, sa i përket rastit të dytë, Thaçi dhe të tjerët për mua ka qenë pak absurde që Gjykata e Hagës një person të cilin e ka në monitorim, vëzhgim, i cili është plotësisht i kufizuar, ta përcjellë me synimin që pastaj të ngrejë një narracion ose një tregim të cilin e bën edhe aktakuzë, se gjoja ata po mundohen për të ndikuar në drejtësi. Më shumë ka qenë proces për ta diskredituar figurën e zotit Thaçi dhe për ta justifikuar punën e prokurorisë, sesa një proces i mirëfilltë gjyqësor”, potencoi Jashari.

Sipas Jasharit, në të dy proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë evidentuar shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të individëve.

“Natyrisht, shkeljet e mëdha janë evidentuar në procesin e parë për krime lufte, po edhe ky është një proces që nuk ndahet nga i pari, sepse buron nga procesi i parë. Dhe kur e shohim në tërësi gjendjen, del që në të dy proceset ka pasur shkelje. Edhe vetë fakti qysh është përpiluar kjo aktakuzë, qysh janë mbajtur këta të vëzhguar dhe të përgjuar, qysh janë përcjellë kontaktet e tyre, qoftë edhe me ekipet mbrojtëse, nënkupton që qasja e kësaj gjykate ka qenë në kundërshtim me parimet bazë të drejtësisë dhe me të drejtat dhe liritë themelore të individëve që kanë qenë nën masën e paraburgimit atje, po edhe të personave të tjerë të cilët këta i kanë kontaktuar”, potencoi ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu, janë dënuar më 41 muaj burgim efektiv dhe një muaj burgim me kusht nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

Me vendimin e shpallur nga gjyqtari Kristofer Gosnell, Thaçi është dënuar me 17 muaj burgim, Smakaj e Fazliu me nga 12 muaj burgim, Kuçi me një muaj burgim me kusht. Ndërsa ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm.

Të ngjashme