Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit, duke shprehur indinjatë për faktin se ish-kryetari i Kuvendit dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së nuk është i lirë në Kosovë dhe, sipas tij, nuk i lejohet të takojë lirisht as vëllain e tij.
Në një postim, ai e ka cilësuar këtë si padrejtësi dhe ka thënë se është e rëndë të shohësh një njeri që ka kontribuar për lirinë e Kosovës të mos jetë pranë familjes së tij.
“Ka dhimbje që nuk shkruhen dot me fjalë, por ka të vërteta që britma e ndërgjegjes nuk guxon t’i heshtë. Është më se e rëndë, është turp i kohës dhe padrejtësi therëse të shohësh një njeri si Baca Jakup Krasniqi, burrin e dijes, të pushkës, të pendës dhe të burrërisë, të mos jetë i lirë në tokën e tij, pranë vatrës që e fali të tërën për këtë liri që sot gëzojmë”, ka shkruar ai.
Kryetari i OVL-UÇK-së ka kritikuar edhe pamundësinë, siç thotë, që Krasniqi të takohet lirisht me vëllain e tij në Kosovë.
“Të mos i lejohet të takojë lirisht as vëllain e tij në vendin për të cilin ai fali rininë, djersën dhe çdo grimë të jetës. Cila drejtësi njerëzore apo ndërkombëtare e arsyeton këtë mizori shpirtërore?”, ka shkruar ai.
Në reagimin e tij, ai ka shprehur edhe mbështetje për bashkëshorten e Krasniqit, Sevdije Krasniqi, të cilës i ka uruar shërim të shpejtë, duke e cilësuar si simbol të qëndresës.
“Në krah të tij, e fortë si Kulla e Llapushnikut, qëndron Zonja Sevidije, një grua fisnike, simbol i qëndresës madhështore, e cila bashkë me Bacën Jakup ka bartur mbi supe stuhitë më të rënda të historisë sonë më të re. Sevdijes i urojmë shërim sa më të shpejtë, duke e pritur Bacën Jakup në liri e fortë me shëndet si çdo herë”, thuhet në postim.
Ai ka thënë se ata që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës, sot përballen me atë që e ka cilësuar si cinizëm të pashpirt, duke u mohuar edhe ngrohtësinë elementare familjare.
“Baca Jakup ka hyrë në histori si burrë shteti e idealist i pastër. Prangat fizike nuk mund ta errësojnë dot pastërtinë e rrugës së tij, por dënimi më i madh nuk i bëhet atij – i bëhet vetë ndërgjegjes sonë kolektive, nëse heshtim përpara këtij persekutimi”, ka shkruar kryetari i OVL-UÇK-së.
Në fund, ai ka theksuar se dinjiteti i Jakup Krasniqit dhe bashkëshortes së tij nuk mund të nënshtrohet, duke bërë thirrje për liri.
“Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por krenaria dhe dinjiteti i Bacës Jakup dhe Zonjës Sevidije nuk gjunjëzohen kurrë. Liri për shtyllat e kombit!”, ka përfunduar reagimin ai.