Erërat shkaktojnë dëme në disa qytete të Kosovës, një person i lënduar dhe ndërprerje të rrymës

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 07:35 | Nga Ekonomia Online

Erërat e fuqishme që përfshinë Kosovën mbrëmjen e së enjtes kanë shkaktuar dëme materiale në disa qytete të vendit, duke dëmtuar biznese, ndërtesa, automjete, hapësira publike dhe sera bujqësore.

Një nga rajonet më të prekura ishte Ferizaj, ku Policia Rajonale raportoi për dëme në biznese, ndërtesa publike dhe automjete. Po ashtu, është raportuar edhe për një person të lënduar si pasojë e erërave të fuqishme. Ekipet policore dhe ato emergjente dolën në terren për të intervenuar në zonat e prekura.

Situata ndikoi edhe në furnizimin me energji elektrike. KEDS-i ndërpreu energjinë elektrike në Ferizaj, me kërkesë të Policisë së Kosovës, për shkak të dëmeve dhe avarive të konsiderueshme në infrastrukturën energjetike.

Dëme u raportuan edhe në kryeqytet, konkretisht në Matiçan, ku dritaret e një ndërtese u shkëputën nga era dhe ranë mbi një veturë, duke e dëmtuar atë. Ndërkaq, në afërsi të Rrugës C, në rrugën “Ali Aliu-Kelmendi”, erërat shkatërruan një kënd lojërash për fëmijë.

Pasojat e motit të lig u evidentuan edhe në Lipjan, ku u raportuan dëme materiale.

Në Krushë të Madhe të Rahovecit, erërat e fuqishme dëmtuan sera bujqësore, ndërsa në Prizren, konkretisht në Shadërvan, era rrëzoi dhe dëmtoi tavolinat e karriget e vendosura jashtë lokaleve të gastronomisë.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kishte paralajmëruar për erëra me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë, me mundësi që gjatë goditjeve të fuqishme shpejtësia të ishte edhe më e madhe.

Deri më tani, nuk ka një bilanc të përgjithshëm zyrtar për dëmet në nivel vendi

Të ngjashme