Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në sallën plenare të Kuvendit një grup të të rinjve dhe të rejave nga Tetova, të cilët ishin të shoqëruar nga drejtori i Qendrës Kulturore të të Rinjve, Muhamed Mustafa.
Në këtë takim, Haxhiu, bashkë me deputetët Fjolla Ujkani dhe Alban Bajrami, ka diskutuar me të rinjtë për punën e Kuvendit dhe angazhimin politik, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në jetën politike.
Haxhiu ka thënë se afërsia mes Tetovës dhe Prishtinës nuk lidhet vetëm me projektet infrastrukturore, por mbi të gjitha me njerëzit dhe solidaritetin ndër vite.
“ Tetova dhe Prishtina janë afër, dhe me projektet e reja infrastrukturore do të jenë edhe më afër. Por ajo që na lidh më shumë janë njerëzit. Gjatë luftës, familjet e Tetovës na hapën dyert e shtëpive të tyre, një solidaritet që nuk e harrojmë. Sot kjo afërsi vazhdon përmes studentëve, me shumë të rinj nga Tetova që studiojnë në Prishtinë dhe shumë të tjerë nga Kosova në Tetovë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se përfshirja aktive e të rinjve në politikë është e rëndësishme për institucionet demokratike, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë angazhimin e tyre.
“Me ta bisedova për punën e Kuvendit dhe angazhimin politik. Për mua ka shumë rëndësi që të rinjtë dhe të rejat të jenë pjesë aktive e jetës politike, sepse institucionet demokratike kanë nevojë për zërin dhe mendimin kritik të tyre. I inkurajova ta vazhdojnë angazhimin, përmes qendrës së tyre, por edhe në forma të tjera”, ka shkruar ajo.
Sipas Haxhiut, të rinjtë gjatë takimit kanë parashtruar pyetje dhe kanë shprehur mendimet e tyre, ndërsa ajo u ka uruar qëndrim të këndshëm në Prishtinë.
“Të rinjtë bënë pyetje dhe shprehën mendimet e tyre. U uroj qëndrim të këndshëm në Prishtinë dhe shpresoj t’i takoj sërish!”, ka përfunduar Haxhiu.