Pritjet ishin se të premten në Bruksel, në praninë e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federika Mogherini, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të vendosnin mbi tavolinë hartat dhe do të nisnin vizatimin e kufijve, që do të ishte zgjidhja përfundimtare e një konflikti qindravjeçar, të arrinin paqen, dhe se për këtë edhe ata, edhe Mogherini do të shpërbleheshin me çmimin “Nobel”.
Se marrëveshja do të jetë shkëmbimi i territoreve, apo korrigjimi i kufijve, dukej pothuajse si punë e kryer dhe vetëm numëroheshin ata që janë kundër dhe ata që janë në favor të kësaj ideje. Dhe vetë BE-ja ishte e ndarë rreth ideve të tilla, me një grup që thoshte se duhet pranuar, dhe një tjetër, shumë më i madh, që tërhiqte vërejtjen për rrezikun nga idetë e tilla.
Por takimi mes dy presidentëve nuk ndodhi fare. Dita nisi si zakonisht kur ka takime të tilla në nivel të lartë tash e shtat vjet. Së pari Mogherini takoi në mënyrë bilaterale presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pas këtij takimi ai doli me porosi pajtuese, me ftesa për paqe, pajtim dhe integrime evropiane, shkruan sot Koha Ditore.
Por gjatë kohës kur vazhdonte takimi ndërmjet zonjës Mogherini dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para gazetarëve doli i ashtuquajturi shef i Zyrës për Kosovën dhe Metohinë në Qeverinë e Vuçiqit, Marko Gjuriq, i cili me një gjuhë shumë të rëndë njoftoi se Vuçiqi refuzon ta takojë Thaçin dhe se përgjegjësinë për këtë e kanë shqiptarët që gënjejnë dhe kërcënojnë.