AKK-ja vazhdon t’i mbledhë komentet për Ligjin e Pagave – Ibrahimi: Kërkesa s’i tejkalojnë mundësitë buxhetore

Prishtinë | 26 Sht 2022 | 11:11 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka pranuar komente sa i përket Projektligjit të Pagave nga kryetarët e Komunave dhe bartësit e tyre. Nga niveli lokal, thonë se kërkesat sa i përket këtij Projektligji janë që për pozitat e njëjta me të nivelit qendror të kenë pagë të njëjtë edhe ata komunalë.

Kreu i këtij institucioni, Sazan Ibrahimi thotë për Ekonomia Online, se kërkesat e nivelit lokal janë të argumentuara dhe se të njëjtën do ta bëjnë edhe gjatë debateve që do të ndodhin në nivelit qendror.

Ai ka thënë se komente kanë pranuar edhe nga komunat me shumicë serbe, por jo të pjesës veriore.

Ai ka përmendur në detaje se nga kush kanë pranuar komente deri të hënën.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës ka qenë në grupin punues sa i përket hartimit të Projektligjit të Pagave. Neve posa e kemi marrë draftin e këtij Projektligji e kemi dorëzuar tek kryetarët e komunave dhe drejtorët komunalë dhe tek të gjitha kolegjiumeve që i kemi brenda AKK-së, dhe kemi pranuar komente nga kryesues të Kuvendeve Komunale të cilët kërkojnë që paga e tyre të jetë në nivel të njëjtë me nënkryetarin e Komunës, sepse konsiderojnë se Kuvendi i Komunës e ka një peshë të jashtëzakonshme sa i përket pushtetit lokal, bazuar gjithashtu edhe në ligjin për vetëqeverisje lokale, gjithashtu kemi pranuar komente nga zyrtarët komunal për TIK, të cilët kërkojnë një pagë më të dinjitetshme”, u shpreh ai.

“Gjithashtu kemi pranuar komente nga komunat me shumicë serbe jo të veriut por të gjashtë komunave tjera të cilat janë anëtare të AKK-së, dhe kemi pranuar komente nga avokatët komunalë, të cilët kërkojnë që paga e tyre në nivel të njëjtë me avokatët shtetëror sepse edhe ata përfaqësojnë institucionin”, u shpreh ai.

Teksa ka folur për këtë Projektligj, Ibrahimi ka thënë se kërkesat e tyre janë reale dhe se nuk i tejkalojnë mundësitë buxhetore.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës të gjitha kërkesat i ka të argumentuara, duke u bazuar nga kërkesat të cilat vijnë nga komunat e të cilat janë edhe më të argumentuara dhe do t’i adresojnë në nivelin qendror dhe do t’i argumentojë gjithashtu edhe gjatë debateve që do të ndodhin në nivelit qendror, dhe po besoj se kërkesat dhe rekomandimet tona do të merren parasysh nga niveli qendror, sepse janë kërkesa reale dhe nuk janë kërkesa të cilat tejkalojnë mundësitë buxhetore”, tha tutje Ibrahimi.

Ndonëse afati i fundit për të pranuar komente është 5 tetori, Ibrahimi thotë se të njëjtat komente do t’i argumentojnë edhe në grupin punues, ku AKK-ja është pjesë e saj.

“Sa jam në dijeni ky Projektligj do të jetë në debat deri më 5 tetor, dhe më pas do të mblidhen të gjitha komentet dhe do të dorëzohen në grupin punues, ku ne jemi anëtarë dhe aty do të mundohemi që të gjitha kërkesat e komunave të argumentohen edhe një herë dhe do të kërkojmë që për pozitat e njëjta të cilat janë në nivelin lokal, paga të jetë e njëjtë me zyrtarët të cilët janë në nivelin qendror dhe mos të ketë anashkalim sa i përket kësaj kërkese”, u shpreh tutje ai.

Të ngjashme