Ambasadori Szunyog: BE ka investuar mbi 100 milionë euro në mbrojtje të mjedisit

Prishtinë | 03 Qer 2022 | 14:23 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, shënuan sot Ditën Botërore të Mjedisit duke mbjellë drurë përgjatë shkallëve të Arbërisë në Prishtinë.

Szunyog tha se ky aktivitet tregon se sa është BE-ja e përfshirë në bërjen e Prishtinës një qytet të gjelbër.

Shkallët e Arbërisë janë një nga pikat e rëndësishme referuese dhe pikë takimi në Prishtinë, të cilat plotësojnë korridorin e gjelbër të qytetit. Aktiviteti i mbjelljes së drurëve, ku morën pjesë edhe fëmijë nga Shkolla Model, u organizua në kuadër të Javës së Gjelbër të BE-së dhe Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm në Kosovë 2022, që i kushtohet energjisë së gjelbër.

“Gjatë viteve të fundit, situata e përgjithshme mjedisore në Kosovë është përkeqësuar dhe ne po përballemi me probleme serioze mjedisore që lidhen me ndotjen e ajrit, ujit dhe tokës, probleme këto të cilat kërkojnë vëmendje të menjëhershme”, tha ambasadori Szunyog.

“Sot po mbjellim drurë për të rritur ndërgjegjësimin për këto çështje dhe për të theksuar bashkëpunimin tonë me komunat për çështjet mjedisore dhe energjetike. Ky bashkëpunim në Prishtinë përfshinë, ndër të tjera, përmirësimin e efiçiencës së Termokosit dhe zvogëlimin e emetimeve të CO2, bashkëinvestimin në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj, përmirësimin e cilësisë së ujit të pijshëm dhe sigurimin e disa monitoruesve të cilësisë së ajrit. Punimet për modernizimin e menaxhimit të mbeturinave dhe ndërtimin e një deponie të mbeturinave janë gjithashtu në vazhdim e sipër”. 

Shikuar në përgjithësi, BE-ja po e ndihmon Kosovën të kalojë në burime të qëndrueshme dhe të ripërtërishme të energjisë së gjelbër dhe të zbatojë Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe synimet që kanë të bëjnë me uljen e ndotjes, zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe biodiversitetin.

“Misioni ynë është një Prishtinë më e gjelbër dhe ne po punojmë shumë në zbatimin e ndryshimeve për një mjedis më të shëndetshëm dhe më të sigurt për qytetarët tanë. Do të vazhdojmë të mbjellim më shumë drurë dhe të krijojmë sipërfaqe të reja të gjelbra në të gjithë qytetin tonë”, tha Rama.

Shkallët e Arbërisë tani kanë 100 drurë të rinj të mbjellë nga poshtë deri lart. Përmes një veprimi simbolik, mbjellja e drurëve sot kontribuoi për ta bërë Prishtinën qytet më të gjelbër.

Nga viti 2015 deri më sot, BE-ja ka investuar mbi 100 milionë euro në mbrojtjen e mjedisit, duke përfshirë edhe përmirësimin e infrastrukturës energjetike, e cila ka ndikim të madh në mjedis.

Të ngjashme