Amnesty: Së paku 161 të vrarë në protestat e Iranit

Prishtinë | 30 Nën 2019 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty Interantional, njoftoi se së paku 161 persona janë vrarë në më shumë se 100 qytete dhe qyteza iraniane. Kryengritjet që filluan për shkak të rritjes së çmimit të benzinës u shtypën në mënyrë të dhunshme nga autoritetet.

“Numri i konfirmuar i protestuesve të vrarë në Iran është rritur në të paktën 161 persona, bazuar në raporte të besueshme të pranuara nga zyrtarët e organizatës”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate, të publikuar të premten.

Sidoqoftë, organizata me seli në Londër theksoi se numri i vërtetë i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.

Shkalla e shtypjes dhe dhunës së përdorur kundër protestuesve mbetet e paqartë, kryesisht për shkak të ndërprerjes pothuajse të plotë të internetit që e vendosën autoritetet për disa ditë me radhë.

Organet shtetërore ende nuk e kanë publikuar ndonjë shifër të viktimave të protestave që filluan në mbrëmjen e 15 nëntorit. Protestuesit i sulmuan stacionet e policisë, ua vunë flakën pompave të benzinës dhe i plaçkitën dyqanet.

Ndryshe, në një raport të publikuar të mërkurën, organizata “Human Rights Watch” i akuzoi autoritetet iraniane për fshehje të qëllimshme të masave shtypëse kundër protestuesve, shkruan “Free Europe”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme