Asamblistja e AAK-së në Prishtinë: Koalicioni nuk është unik, të çakorduar në vendimmarrje

Prishtinë | 19 Kor 2019 | 08:29 | Nga Ekonomia Online

Asamblistja e AAK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fiknete Bejta, ka thënë se koalicioni që udhëheqë me komunën e Prishtinës nuk po ecën shumë mirë.

“Nuk e di sa më takon mua të flasë për koalicionin sepse jam vetëm asambliste në Kuvendin Komunal. Megjithatë, si asambliste e shoh se diçka nuk po përkon me qëllimet dhe objektivat që i ka vendosur ky koalicion”.

“Janë të çakorduar në vendimmarrje dhe nuk janë një koalicion unik”.

Bejta në Sytë 7 në Klan Kosova ka treguar se si e sheh rolin e saj si asambliste e Kuvendit Komunal.

“Unë e kam kuptuar rolin e asamblistes në lehtësimin e jetës dhe rritjes së standardit të qytetarëve. Përkushtohem që të marrë iniciativa në dobi të qytetarëve dhe të japë ide për projekte të ndryshme që e rrisin kualitetin e jetës”.

“Ka raste kur në bashkërendim me qytetarët kemi drejtuar te institucionet përkatëse projekte dhe ide për zgjedhjen e problemeve të ndryshme”.

Por, si e sheh ajo Prishtinën?

“Prishtina është një problem që jemi ballafaquar që prej pas luftës. Është ndërtuar një anarki dhe tash po i vuajmë pasojat e asaj anarkie”.

“Është e vështirë që ky qytet të vendoset në binarë sepse nuk ka një strategji afatgjatë. Çdo projekt që niset nuk është i specifikuar. Në qytet punohet pjesë-pjesë, jo me një plan dhe strategji më të detajuar”.

Ajo ka thënë se Ligji për Prishtinën është një ndihmesë e madhe për kryeqytetin në të gjitha aspektet, por duhet vullnet që të përfitohet nga ky ligj.

Bejta e ka komentuar edhe punën e të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Sa i përket mandatit të parë, Shpend Ahmeti ka vazhduar projektet e ish-kryetarit Isa Mustafa”.

“Në këtë dyvjeçar të mandatit të dytë janë projektet e tij, por nëse e shohim se për çfarë do të mbetet në kujtesën e qytetarëve Shpend Ahmeti e kemi të vështirë të vërejmë diçka. I ka afat edhe dy vjet”.

Ajo nuk është shprehur shumë e bindur se puna që bëhet në Kuvendin Komunal të Prishtinës po sjellë rezultate për qytetarët.

“Në gjashtëmujorin e fundit, seancat janë mbajtur sipas planifikimit. Por, sa janë seancat cilësore dhe sa po sjellin rezultate jam pak skeptike”.

“Megjithatë, kemi arritur të bllokojmë disa rregullore që kanë qenë diskriminuese për qytetarët, si rasti i kiosqeve publike”.

“Kemi menduar si Kuvend Komunal që kriteret për dhënien në shfrytëzim të kiosqeve kanë qenë diskriminuese për qytetarët dhe mendoj se kanë qenë edhe tendencioze”.

Të ngjashme