Avoakti serb pyet Grenellin: Si e dije që Sanduloviq do arrestohej nga BIA?

Prishtinë | 08 Jan 2024 | 10:40 | Nga Ekonomia Online

Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, e ka përfshirë edhe ish-emisarin amerikan, Richard Grenell, në arrestimin e politikanit serb, Nikola Sanduloviq, nga BIA serbe.

Stojkoviq ka shtruar pyetje se si Grenell e ka ditur dy javë më parë se Sanduloviq do të arrestohej.

“Do të isha i lumtur të zbuloja se si Richard Grenell e dinte dy javë më parë se Nikolla Sanduloviq do të arrestohej? Vërtet, ai mori një medalje nga presidenti Alkesandar Vuçiq dy muaj më parë, në të njëjtën mënyrë që Aleksandar Vuçiq mori një medalje nga Vladimir Putin 5 vjet më parë…”, ka shkruar Stojkoviq në “X”.

“A mund të më thoni zotri Grenell, a e dinit ju se zoti Sanduloviq do të arrestohej për vendosjen e luleve mbi varrin e Blerina Jasharit, vajzës shtatëvjeçare shqiptare të vrarë në vitin 1998? E pyes këtë sepse Aleksandër Vulin, agjenti i Putinit në Serbi, i cili është nën sanksionet e SHBA-së, pretendoi dje se e kishte urdhëruar arrestimin dy muaj më parë. Pyes veten nëse bisedat konfidenciale të mia apo të dikujt tjetër ia keni përcjellë Aleksandar Vulin-it apo ai ju ka përcjellë falas informacionin se kë do të arrestojë Serbia ilegalisht? Ndoshta, Vulin ju tha paraprakisht se do ta rrihnin dhe do t’i thyenin brinjët?”, ka shkruar tutje Stojkoviq.

Muaj më parë, Richard Grenell dhe Nikola Sanduloviq kishin pasur një përplasje në “X”.

Sanduloviq i kishte reaguar Grenellit duke thënë se ai është një mercenar dhe është i blerë nga “krimineli i luftës, Aleksandar Vuçiq”.

“Ju Richard Grenell jeni një mercenar që është në anën e gabuar të historisë dhe vendit tuaj! Ju jeni blerë nga krimineli i luftës Aleksandar Vuçiq që la pas mijëra viktima të pafajshme të kombësisë shqiptare, kroate dhe boshnjake”, kishte shkruar Sanduloviq muaj më parë në “X”.

Pas kësaj erdhi reagimi i Grenellit, i cili i tha “Merreni një avokat, do të ju nevojitet”.

Kujtojmë se politikani opozitar serb, Nikola Sanduloviq, është rrahur brutalisht ditë më parë në Serbi.

E gjithë kjo ndodhi një ditë pasi Sanduloviq publikoi video duke bërë homazhe në varrezat e familjes Jashari në Prekaz, ku edhe kërkoi falje për krimet që ka kryer Serbia.

Po ashtu ka pasur zëra se në torturimin e tij ka marrë pjesë edhe krimineli serb Milan Radojçiq.

Të ngjashme