Ballazhi në takimin me Kurtin shpreh nevojat dhe kërkesat e banorëve të Hanit të Elezit, shpreson se do të gjejnë mbështetje

Prishtinë | 25 Qer 2022 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka marrë pjesë në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës, ku u diskutua për zhvillimin ekonomik dhe investimet.

Ballazhi, në një postim në faqen e tij në Facebook, ka thënë se në këtë takim, ka shprehur shqetësimet, problemet, nevojat dhe kërkesat e banorëve të Hanit të Elezit. Ai ka shfaqur shpresën se këto kërkesa do të gjejnë mbështetje për zgjidhje në institucionet qendrore.

“Sot, në një ambient ndryshe nga ditët e tjera të punës, të rrethuar me pamjet mahnitëse të maleve të Sharrit, isha pjesë e sesionit të diskutimit të thirrur nga Kryeministri Kurti me kryetarët e komunave, ku shtjelluam temat mbi të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe investimet”, ka shkruar Ballazhi.

Mbrojtja e parasë publike është parim kyç me të cilin duhet të udhëhiqen të gjitha politikat publike, e kjo arrihet vetëm nëpërmjet menaxhimit të mirëfilltë të financave publike, ka thënë kryeministri Kurti, në sesionin e dytë të takimit me kryetarët e nënkryetarët e komunave të Kosovës.

“Si Qeveri e Republikës, që nga fillimi i mandatit, kemi punuar në ndërtimin e mekanizmave që ndikojnë në avansimin e sistemit të buxhetimit e shpenzimit, e deri tek vendosja e kontrolleve të brendshme për të siguruar mirëmenaxhim e llogaridhënie”.

Duke folur për angazhimin e Qeverisë për mbështetjen e nivelit komunal me qëllim të rritjes se mirëqenies së qytetarëve, kryeministri tha se si rezultat i rritjes rekord të të hyrave buxhetore, Granti i Përgjithshëm për vitin 2023 është miratuar nga Komisioni i Granteve me një rritje prej 32 për qind.

Të ngjashme