Banka e Shqipërisë: Kriza dëmtoi ekonominë

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 16:04 | Nga

Kriza politike në tremujorin e dytë të vitit goditi rëndë besimin në ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë raportoi se treguesi i ndjesisë ekonomike, një indikator i cili mat perceptimin e biznesit dhe qytetarëve për ekonominë, u përkeqësua me 9.7 pikë gjatë periudhës prill-qershor.

Banka e mat treguesin e ndjesisë ekonomike duke pyetur bizneset e katër sektorëve, që janë ndërtimi, shërbimet, industria dhe tregtia. Këtij rezultati i shtohet edhe perceptimi i konsumatorëve.

Sipas Bankës, në tremujorin e dytë të vitit rënia e optimizmit në ekonominë shqiptare u shkaktua veçanërisht nga sektori i shërbimeve. Treguesi i besimit tek bizneset e këtij sektori ra me 18 pikë përqindje.

Sipas BSH, bizneset në aktivitetin e shërbimeve kanë raportuar rënie të kërkesës dhe përkeqësim të gjendjes së tyre financiare. Pas tyre, dega e dytë me rënie të besimit është tregtia, ku treguesi u ul me 3.9 pikë përqindje.

Në dy degët e tjera të ekonomisë, që janë ndërtimi dhe industria, treguesi i besimit është rritur. Madje edhe qytetarët vetë shprehen më optimistë për ekonominë dhe gjendjen e tyre financiare.

Por përmirësimi i besimit të konsumatorëve dhe tek bizneset e ndërtimit dhe industrisë ka qenë i pamjaftueshëm për të amortizuar rënien në sektorin e shërbimeve, që mbetet dega më e madhe e ekonomisë.

Megjithatë, pavarësisht rënies së shënuar në tremujorin e dytë, treguesi i ndjesisë ekonomike mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë, falë përmirësimit të shënuar në tremujorët pararadhës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme