Banorët e zonës “Qendër” protestojnë kundër “Prishtina Parkingut”, thonë se po gjobitën edhe rezidentët

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 09:34 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banorët e zonës “Qendër” në Prishtinë kanë protestuar gjatë së martës në shenjë pakënaqësie me ndërmarrjen “Prishtina Parking”, e cila po i gjobitë banorët rezidentë, raporton Ekonomia Online.

“Turp Prishtina Parking”, “Vota jonë është përgjegjësi e juaja”, “Ndaleni ndëshkimet e banorëve rezident”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar banorët e kësaj lagjeje.

Përfaqësuesja e lagjes “Qendra”, Violeta Hasani, tha se gjatë ditës së djeshme janë gjobitur mbi 200 banorë.

E për këtë, ajo tha se ka pasur edhe një incident ndërmjet banorëve dhe punëtorëve të “Prishtina Parkingut”.

“Me ndal këtë veprimtari “Parking Prishtina”, në zonën ku ne banojmë sepse kjo është zonë kolektive nuk është publike. “Parking Prishtina” duhet me dal me një prononcim me na tregu për çka janë gjobit dje më shumë se 200 banorë, ndërsa unë kam fakte që zyrtarët e institucioneve nuk janë gjobit. Dje ka eskaluar situata në lagjen tonë, e kam kontaktuar policinë, më kanë thanë që nuk është punë e policisë është e komunës. E kam thirr komunën inspekcionin komunal nuk kanë ardhë, e kam thirr kryeshefin e tyre Alban Imeri por nuk është përgjigj në telefon, situata ka qenë jashtëzakonisht e tensionuar”, tha ajo.

“Jo nuk po e paguajnë, po gjobiten banorët po ua tregoj një dëshmi ku po gjobiten banorët edhe brenda një ore shkruan që duhet me pagu 20 euro plus 1 euro, 21 euro çka nëse qytetari nuk e ka atë pagesë”.

“Protesta ka me vazhdu do të jetë më madhore. Kërkojmë nga kryetari Përparim Rama se mu bë kryetar unë jam taku me të dhe ja kam tregu problemin që po ballafaqoheni, ai ka dhënë shumë fjalë premtuese. Jo nuk kemi marr përgjigjie, jam tu e prit ata janë të obliguat me ma kthy një përgjigje. Ditën e mbledhjes së Kuvendit Komunal me sa e kemi kuptu ka shku rregullorja në ndryshim, deri sa një rregullore është me zbatica me çfarë rregullore ata dalin dhe i gjobitin qytetarët”.

“Protesta u thirr mbrëmë për sot, unë po ju garantoj nëse nuk ka me vepru komuna e Prishtinës diçka ne nuk kemi me i ndalu protestat. Kjo protestë ka me qënë më e vogla që ka me mujt me bë. Nesër kemi me dorëzu edhe një padi kundër “Prishtina Parking”, në Gjykatë. E le të vendos Gjykata për pezullim, brena tri dite kthehet përgjigja, ndërsa padia vazhdon”, u shpreh ajo.

Ndërsa banori tjetër i kësaj lagje, Nasuf Hasani, tha se çmimorja e vendosur nga “Prishtina Parking”, është e papërballueshme për ta.

Ai ka kërkuar nga kryetari që ta pezullojë rregulloren e të merren parasysh kërkesat e banorëve.

“Për dy ose tre vetura, çmimi shkon deri 45 euro këto çmime janë të papërballueshme për të gjithë. Tash është një komision për këtë çështje, unë i bëj thirrje kryetarit Rama që këtë rregullore ta pezulloj menjëherë dhe të merren parasysh kërkesat e banorëve”, tha ai.

Të ngjashme