Berisha: Rezultatet e censusit janë katastrofike, në vend dalin 1 milionë e gjysmë shqiptarë

Prishtinë | 16 Dhj 2023 | 19:19 | Nga Ekonomia Online

Gjatë fjalës në takimin me demokratët në Gjirokastër, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se Edi Rama i fsheh rezultatet e censusit të bërë në muajin tetor.

Berisha deklaroi se, rezultatet e censusit janë katastrofike.

Në vend dalin 1 milionë e gjysmë shqiptarë, duke faktuar njëherë e mirë akuzat se, Edi Rama e zbrazi Shqipërinë.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Nuk ka forcë në botë që na përkul ne. Ndaj dhe ne filluam betejën. Dhamë shembullin vetë me kthesën.

Kthesa ishte beteja me mosbindje civile në parlament.

Ai krijoi çdo kusht që ne të largoheshim nga parlamenti, por ne nuk e bëmë atë.

Ne zgjodhëm betejën.

Ai, duke mohuar të drejtat tona, krijoi parlamentin monist, por dhe ne ia asgjësuam parlamentin monist, e futëm atë në ilegalitet. E detyruam të votojë për 4 minuta buxhetin, ia qorëm maskën para botës.

Ajo mosbindje civile duhej në parlament. Ka pasur në këto 32 vite efektin ndërkombëtar më të jashtëzakonshëm në opinionin publik.

Europa dhe botë e pa se ky është një kryeministër që pranon të votojë në 4 minuta buxhetin e vitit, që të mos kontrollohet vetë. Që ky është një kryeministër që ka tmerr dhe ferr nga kontrolli për shkak të korrupsionit të tij dhe të qeverisë së tij.

Ne jemi të vendosur, nuk tërhiqemi nga parlamenti dhe vazhdojmë mosbindjen civile deri në rivendosjen e të drejtave kushtetuese dhe t’u përfaqësojmë ju ashtu siç keni dhënë votën.

Por tani, tani është koha që mosbindja civile nga parlamenti të kalojë në të gjithë jetën e vendit.

Është koha e kthesës së madhe. PD me mosbindje civile duhet çdo ditë të bëjë gjithçka për destabilizimin e kësaj diktature të bandave, kësaj diktature të drogës dhe krimit.

Ne jemi i vetmi vend ku të ardhurat e qytetarëve zvogëlohen nga viti në vit. Të ardhurat kombëtare rriten, oligarkët pasurohen dhe kalojnë në stratosferë me miliardat e tyre, pensionistët numërojnë kafshatën. Të rinjtë marrin rrugët e botës.

A e dini çfarë ka ndodhur me censusin e fundit? Ka tre-katër muaj që ka përfunduar, rezultatet janë katastrofike.

Rezultatet e para ishin 1 milionë e gjysmë shqiptarë.

Çfarë po bën zotëria, po merr regjistrat e gjendjes civile dhe po i kalon në census.

Kur Europa thotë se nga viti 2014 gjer sot kanë ardhur në territorin e saj 1.1 milionë shqiptarë si emigrantë ose azilantë, llogariteni vetë sa jemi ne sot.

Dërgon ekipe për të bërë verifikime në qyteza, qytete, fshatra, i dalin të njëjtat rezultate. Mijëra banesa bosh, fshatra të shkreta, lagje të boshatisura nga shqiptarët.

Çfarë do presim ne?

Para dy vitesh ne lexuam se OKB parashikonte se pas 30 vitesh, ne nuk do ekzistonim.

Po të ecim kështu, ju garantoj se përveç trafikantëve, pakkush do mbetet në këtë vend.

Të ngjashme