Bojkotohet mësimi në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj

Prishtinë | 11 Shk 2022 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj është bojkotuar mësimi, kanë njoftuar përfaqësuesit e kryetarëve të prindërve të klasave, për shkak të kushteve të dobëta që ka shkolla. Numri i madh i nxënësve, aktiviteti i Shkollës së Mesme të Mjekësisë në të njëjtin objekt e orët e mësimit të përgjysmuara janë disa prej problemeve që kjo shkollë ka pasur ndër vite.

Sipas këtyre përfaqësuesve, ka kohë që Këshilli i shkollës i ka adresuar problemet me të cilat përballet kjo shkollë, mirëpo nuk ka pasur veprime nga Komuna, me të cilët janë takuar katër ditë më herët dhe i kanë paraqitur tre kërkesa.

“Të hënën me datën 7 shkurt 2022, këshilli i kryetarëve të prindërve të klasave të shkollës fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj, ka takuar nënkryetarin e Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu dhe drejtorin e Drejtorisë së DKA-së, Afrim Llabjanin duke ia paraqitur tri kërkesa: 1. Të bëhet orari mësimor i plotë siç është në ligjet Republikës së Kosovës (si mbahen procesim mësimore në tërë shkollat) dhe udhëzimet e arsimit prej 40 – 45 minuta; 2. Të largohet nga objekti shkolla e mesme e mjekësisë “Elena Gjika” që të kalojë në ndonjë objekt tjetër, 3. Mos të barten asnjë klasë nga objekti i shkollës”, thuhet në njoftimin e tyre.

Sipas tyre, Këshilli i dha kohë deri sot Komunës së Ferizajt t’i përgjigjet kërkesave të tyre, por Komuna vendosi të heshte, çka ka çuar në vendimin për të bojkotuar mësimin.

“Në rast se heshtja e zyrtarëve komunal do vazhdojë, ne si Këshill do drejtohemi në instanca më të larta, gjithmonë bazuar në Ligjet e Republikës së Kosovës, duke adresuar kërkesat tona nga ministrja Nagavci, Avokati i Popullit, e deri te presidentja Vjosa Osmani, e kryeministri Albin Kurti”, vijon reagimi i Këshillit të Prindërve.

Nazmi Heda, drejtor i shkollës “Gjon Serreçi”, ka thënë për KOHËN se këshilli i prindërve dhe këshilli i shkollës kanë vendosur ta bojkotojnë mësimin për shkak të mungesës së hapësirës që nxënësit t’i ndjekin mësimet.

“Ne po kërkojmë që institucionet të angazhohen për të krijuar hapësirë të mjaftueshme për nxënësit tanë në një objekt sepse aktualisht janë në tri objekte dhe është vështirë të menaxhohen gjithë këta nxënës. Pra po kërkojmë që objekti i Shkollës së Mjekësisë të lirohet komplet në mënyrë që t’i marrim afër edhe nxënësit e tjerë që janë dukë mësuar nëpër objekte tjera”, ka thënë Heda.

Afrim Llabjani, drejtor i Arsimit në komunën e Ferizajt, ka thënë për KOHEN se do të mundohen gjatë fundjavës ta rregullojnë këtë çështje. Nëse nuk arrihet një gjë e tillë në fundjavë, Llabjani ka thënë se do përpiqen ta rregullojnë problemin të hënën ose të martën.

“Prindërit dhe shkolla “Gjon Serreçi” po kërkojnë që nxënësit e mjekësisë t’i dërgojmë diku tjetër në mënyrë që ata të kenë hapësirë për të gjithë nxënësit të mësojnë në një objekt sepse shkolla e mjekësisë është e bashkangjitur me objektin “Gjon Serreçi”. Por kjo është e vështirë të ndodhë sepse nuk po kemi hapësirë se ku t’i dërgojmë nxënësit e mjekësisë, por jemi duke i shikuar mundësitë që t’i dërgojmë në një pjesë të objektit “Shaban Hashani” dhe kjo po besoj se do të ndodhë në fillim të javës”, ka thënë Llabjani.

Sipas tij, në shkollën e mjekësisë janë kushtet e mira teknike dhe ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë nxënësit.

Të ngjashme