Çitaku: PDK-ja do të hyjë në cikël të rregullt zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të ri

Prishtinë | 17 Nën 2026 | 16:28 | Nga Drita Dërmaku

Në një konferencë për media, Çitaku ka shpjeguar se procesi zgjedhor do të zhvillohet në disa faza, duke nisur nga nëndegët, degët dhe përfaqësimi i delegatëve, për të përfunduar me konventën e partisë, e cila do të zgjedhë Këshillin Drejtues dhe kryetarin apo kryetaren e re të PDK-së.

“Nuk do të jetë kuvend i jashtëzakonshëm, por PDK-ja do të hyjë në një cikël të rregullt zgjedhor. Cikli i rregullt i brendshëm zgjedhor nënkupton zgjedhjet nga niveli i nëndegëve, pastaj i degëve, pastaj i delegatëve që përfaqësohen në konventë dhe, në fund, mblidhet konventa e partisë që zgjedh Këshillin Drejtues dhe kryetarin apo kryetaren e re të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Çitaku.

Ajo ka bërë të ditur se aktualisht PDK-ja është në fazën përfundimtare të përgatitjes së rregullave normative, të cilat do të përcaktojnë mënyrën e zhvillimit të garës zgjedhore në nivelet e ndryshme të organizimit të partisë.

“Në këtë fazë, ne jemi duke përgatitur dhe jemi në fazën finale të përgatitjes së rregullave normative që përcaktojnë rregullat e garës në nivele të ndryshme përfaqësuese të Partisë Demokratike të Kosovës. Jemi në fazë finale përgatitore dhe po besoj që shumë shpejt do të kemi edhe shpalljen e zgjedhjeve, edhe pse ato nominalisht janë të shpallura formalisht, por puna në terren. Po besoj që shumë shpejt Komisioni do të vendosë që në këtë fazë prioriteti i parë i Partisë Demokratike të Kosovës është miratimi i ligjit dhe miratimi i një varg vendimesh në kuadër të grupit strategjik që është themeluar nga Institucioni i Kryesisë”, shtoi.

Çitaku ka vlerësuar se procesi i ardhshëm zgjedhor do të jetë një mundësi për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike brenda partisë, duke rikujtuar se PDK-ja nuk ka mbajtur zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet që nga viti 2019.

Sipas saj, ky proces nuk duhet të kufizohet vetëm në zgjedhjen e kryetarit të ri, por duhet të shërbejë edhe për diskutimin e orientimit dhe të ardhmes së partisë.

“Po, unë po besoj që ky do të jetë një proces i shëndetshëm zgjedhor dhe demokratik. PDK-ja nuk ka pasur zgjedhje të brendshme në të gjitha nivelet nga viti 2019, dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë jo vetëm për të zgjedhur kryetarin, por edhe për të riimagjinuar vetveten, për të ridefinuar PDK-në për të ardhmen: fillimisht në opozitë, por pastaj edhe si udhëheqëse e institucioneve të Kosovës”, potencoi ajo.

Të ngjashme