Deputetët mbështesin grevën, FSShK përgjegjëse për situatën e lë Qeverinë

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 13:45 | Nga Norë Kelmendi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka realizuar një vizitë pune në QKUK, me ç ‘rast ka takuar Këshillin Grevist në Qendrën Klinike Universitare.

Ndonëse anëtarët e komisionit parlamentarë dhanë mbështetje ndaj kërkesave të punëtorë shëndetësore, këta të fundit thonë se përgjegjësia nëse eskalon situata do të bie mbi Qeverinë e Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku, tha projektligji për paga është proceduar pa buxhet.

“Një ligj që vjen në Kuvend pa buxhet sepse buxheti nuk është parapa në projektligjin për buxhet. Nuk ka shtet që është serioz që procedon një projektligj pa buxhet. Ju duhet ta pyetni qeverinë se si ndodh kjo”, tha Kollçaku.

Ndërsa Bekim Haxhiu, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se edhe pse Ligji për Paga parasheh zbatimin e saj gjashtë muaj pas miratimit do duhej që ky ligj të gjente miratimin e saj në një kohë afatshkurtër.

“Bashkëbisedimi ynë me juve është për bashkëpunim shëndetësor dhe është një gatishmëri e të gjithëve të bëjmë një zgjidhje. Ligji i pagave aktual parasheh hyrjen në fuqi 6 muaj pas miratimit në kuvend dhe kjo duhet të ndryshohej pasi që zbatimi i këtij vendimi duhet të jeta më i afatshkurtër”, tha Haxhiu.

Haxhiu shtoi se duhet të ketë një koordinim mes komisionit parlamentar për shëndetësi si dhe institucioneve shëndetësore që të mos vijë puna deri te greva.

“Kërkojmë zgjidhje përbashkët që pacientët të i marrin shërbimet e tyre pastaj edhe një koordinim i joni me juve që të mos ketë nevojë për greva”, u shpreh Haxhiu, raporton EO.

Naser Rugova nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha se komisioni e ka qëllimin e vizitës së saj jo të karakterit politikë.

“Shpreh gatishmërinë dhe mbështetjen ndaj kërkesave të punëtorëve shëndetësorë. Jemi këtu pa politikë jemi këtu për të i mbështetur juve”, tha Rugova.

E nënkryetari i FSShK-së, Xhemajl Selmani, tha se nëse situata e grevistëve eskalon, atëherë përgjegjësinë duhet ta marrë Qeveria e Kosovës.

“Ne e kemi kuptuar situatën në sistemin shëndetësor. Vitin e kaluar i kemi dhënë rëndësi të veçantë ligjit për pagat dhe është premtuar që ky ligj të mbarojë në qershor dhe nuk ka mbaru, është e pa tolerueshme. Nëse situata eskalon atëherë përgjegjësinë do ta marrë qeveria e Kosovës. Ne si sindikatë jemi të obliguar të respektojmë institucionalizimin. Ne i kemi filluar grevat dhe do i përmbahemi deri në momentin e fundit ligjit mbi grevat”, tha Selmani.

Përndryshe, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është duke mbajtu grevë 24-orëshe në të gjitha institucionet shëndetësore të vendit.

Të ngjashme