Dezinfektimi i objekteve kolektive në Fushë Kosovë kushtoi 40 mijë euro

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Që pas rasteve të para me virusin Covid 19 në Kosovë, komunat veç tjerash kanë filluar të bëjnë  dezinfektim më të shpeshtë të objekteve banesore.

Njësoj do të veproj edhe komuna e Fushë Kosovës.

Tashmë është dhënë edhe tenderi për dezinfektim të objekteve kolektive banesore,objekteve afariste.

E në mesin e tri Operatorëve ekonomik që kanë aplikuar fitues ka dalë  ‘Haki Bytyçi B.I’ nga Istogu.

Ndërsa vlera e përgjithshme e kontratës është rreth 40 mijë euro ose saktësisht 39.600,35 euro.

Ky ishte edhe tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët të ofruar ndërsa ai me më të lartin arriti në  44.577,60 euro.

Në  njoftimin për nënshkrim të kontratës të bërë publike në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik thuhet se kohëzgjatja e kontratës është 50 ditë .

Ky OP sipas përshkrimit territorin e komunës së  Fushë  Kosovës do të bëjë dezinfektimin e hyrje daljeve të objekteve kolektive banesore dhe afariste.

“Dezinfektimi i objekteve kolektive banesore hyrjeve-daljeve,objekteve afariste etj ne funksion të  masave parandaluese mbrojtëse në luftën e pandemisë së COVID – 19”, thuhet në  njoftim.

Ndryshe rreth një muaj më parë arbresh.info ka raportuar për kompanitë dhe personat e autorizuar për kryerje të dezinfektimit në Kosovë.

Numri i plotë i kompanive që kanë leje për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim është rreth 60 pa përfshirë disa që janë në procedura për pajisje me leje.

Kështu ka bërë të ditur për Albulena Maloku, zyrtare e lartë për komunikim me publikun në Ministrinë e  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ajo për arbresh.info ka thënë gjithashtu se në vetëm rreth dy javë, listës së subjekteve me leje për dezinfektim, dezinsektim dhe deratizim i janë shtuar 11 të tillë.

Data e regjistrimit të tyre varion nga 5 mars deri me 16 mars ndërsa të gjitha kanë leje të përkohshme ose 6 mujore. Në mesin e tyre janë edhe ‘N.T.SH.TRULY NOLEN SH.P.K”,  “N.SH.P’’D.D.D”,” Ambulanca Veterinare,‘’Veterina’’, Drenas” dhe “N.SH.’’EKO-DDD’’.

Maloku kishte treguar edhe për procedurat që duhet ndjekur për  të marrë një leje të tillë nga Ministria e  Bujqësisë.

Një ndër kriteret që duhet përmbushur aplikuesi është diploma për përgatitje profesionale, Fakulteti i Bujqësisë, Agronomisë,  Veterinarisë, Epidemiologjisë , Ekologjisë.

Gjithashtu krejt në fund duhet bërë pagesa për leje në vlerë prej 40€.

“1. Kërkesa për leje;  2. Certifikatën e biznesit nga MEPTINIS( Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë,  Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike); 3. Certifikatë e numrit fiskal nga Ministria e Financave dhe Transfereve; 4. Diploma për përgatitjen profesionale (Fakulteti i Bujqësisë, Agronomisë, Veterinarisë, Epidemiologjisë , Ekologjisë); 5. Procesverbalin nga inspektori fitosanitar; 6. Fletëpagesën e taksës për leje në vlerë prej 40€”, ka thënë ajo.

Ndërsa procedurat zgjasin më së shumti 10 ditë dhe lejet  janë valide 6 muaj.

Të ngjashme