Dhuna gjatë protestës së opozitës, 15 të arrestuar dhe 80 të shoqëruar

Prishtinë | 17 Shk 2019 | 12:08 | Nga Ekonomia Online

Dhuna gjatë protestës së opozitës, të zhvilluar një ditë më parë përpara Kryeministrisë, ka bërë që plot 80 persona të shoqërohen në polici, ndërsa të arrestuar janë 15 pjesëmarrës.

Me urdhër të kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Ymeraj, hetimet udhëhiqen nga prokurori Enklid Gjini. Të përfshirë në hetimet për dhunën në Kryeministri janë edhe 7 prokurorë të tjerë, si dhe 12 oficerë të Policisë Gjyqësore.

Burimet e Top Channel theksojnë se numri i të ndaluarve pritet të rritet, pasi për ngjarjet e djeshme do të ketë të ndaluar edhe në rrethe, pasi në identifikimin e shkelësve të ligjit janë përfshirë edhe Komisariatet e Qarqeve.

Ndërkohë, vetëm pak pas raportimit të gazetarit Muhamed Veliu, policia e kryeqytetit njoftoi për arrestimin e 15 personave të akuzuar për veprat penale të “kundërshtimit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “goditje për shkak të detyrës”, “shkatërrim të pronës” dhe “prishje të qetësisë publike”.

Ndalimi i tyre ka ardhur pas analizimit të pamjeve filmike, raporteve të shërbimeve policore dhe provave të mbledhura gjatë protestës së një dite më parë, ku pati akte të dukshme dhune.

Policia e Tiranës njoftoi gjithashtu 5 të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa 7 persona i ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen e tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme