Dimitrov thotë se taksa e Kosovës për produktet maqedonase s’është e mirë, shpreson të hiqet

Prishtinë | 20 Kor 2018 | 14:59 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në takim homologun e tij nga Maqedonia, Nikola Dimitrov.

Pacolli, në konferencën për medie pas takimit, ka thënë se vendimin e Ministrisë së Kosovës për Tregti dhe Industri për ta rritur taksën doganore prej 30 për qind për importet e llojeve të caktuara të frutave, perimeve nga Maqedonia, e ka arsyetuar në takim para homologut të tij si nevojë për të mbrojtur prodhimet vendore.

“Kjo çështje u ngrit në takim dhe do të diskutohet në takimet tjera që homologu ka në Kosovë. E arsyetova këtë si nevojë që Kosova të mbrojë prodhimet e veta vendore. Prodhimi vendor është shumë me rëndësi, sepse gjeneron vende pune. Sa i përket taksës doganore, është preventivë e përkohshme që do të zgjasë 90 ditë”.

Ministri maqedonas Dimitrov tha se masa për rritjen e taksës doganore nuk mund të jetë e mirë për Kosovën, kur ajo nuk është e mirë për vendin e tij. Dimitrov tha se shpreson që ta tejkalojnë këtë çështje përmes dialogut, sepse kanë edhe obligime ligjore nga marrëveshja e CEFTA-s, raporton EO.

“Një masë s’mund të jetë e mirë për Kosovën nëse s’është e mirë për fqinjin. Duhet të gjejmë zgjidhje. Kemi obligime ligjore me marrëveshjen e CEFTA-s. Jam i bindur se do ta marrim këtë politikë të re evropiane në Ballkan dhe përmes dialogut të përshpejtuar ta zgjidhim këtë çështje. Shpresoj që shpejt këtë çështje ta tejkalojmë. Më pëlqen që t’i zgjidhë problemet, thash në Londër që s’kemi mosmarrëveshje dypalëshe, por si duket më ranë në mësysh”.

I pyetur nëse Maqedonia do të aplikojë masën e reciprocitetit, Dimitrov ka thënë se në këtë fazë duhet të fillojnë bisedimet me Kosovën.

“CEFTA thotë se nëse ka një çështje duhet të zhvillohet hetim dhe negociata me shtetin dhe pastaj të fillojnë masat. Nëse flasim për masat më tepër do ta kapim temën e inatit. Jemi tepër të afërt dhe bashkë dhe mendoj që shumë shpejt do ta gjejmë një zgjidhje”.

Dimitrov ka uruar Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.

“Ne si qeveri jemi të bindur se nëse s’kemi fqinjë të mirë, s’mund të kemi as ardhmëri të mirë. Për atë i përkushtohemi ndërtimit të urave. Çdo lajm i mirë për Kosovë dhe vendet tjera është lajm i mirë edhe për Maqedoninë”.

Ministri Pacolli tha se Kosova ka traditë të marrëdhënieve të mira me Maqedoninë. Ai bëri të ditur se Kosova me Maqedoninë kanë të nënshkruara 21 marrëveshje, 4 nisma që pritet të kthehen në marrëveshje dhe 4 memorandume, raporton Ekonomia Online.

“Maqedonia është mike e natyrshme e Kosovës dhe kështu do të vazhdojë zhvillimi i marrëdhënieve. Kosova dhe Maqedonia kanë filluar një bashkëpunim më të gjerë, kemi së paku dy takime presidenciale në vit, jemi dakorduar për dy takime të kryeminsitrave. Takimi qeveritar është paraparë në shtator, i cili kërkohet të shtyhet më para ose më vonë, pasi Maqedonia është në përgatitje të memorandumit që do ta bëjnë”.

Të ngjashme