Embargoja e Vuçiqit nuk e ndali eksportin e armëve nga Serbia

rel.avif
Prishtinë | 18 Nën 2026 | 18:07 | Nga Ekonomia Online

Megjithëse Serbia vendosi embargo ndaj eksportit të armëve, shitjet jashtë vendit vazhduan dhe kompania shtetërore, Jugoimport SDPR, realizoi fitime milionëshe.

Këtë e tregojnë raportet financiare të kompanisë për vitin 2025, të cilat i analizoi Radio Evropa e Lirë.

Të ardhurat e Jugoimport SDPR-së, që burojnë nga importi dhe eksporti i armatimit, tejkaluan 300 milionë euro.

Kompania u rendit në mesin e pesë ndërmarrjeve në Serbi me rritjen më të madhe të të ardhurave.

Importi i armëve nuk ishte i kufizuar, por kompania vazhdoi të siguronte të ardhura edhe nga eksporti, ndonëse Serbia e kishte të pezulluar zyrtarisht shitjen e armëve dhe municioneve jashtë vendit.

Moratoriumi u vendos në fund të qershorit 2025 – me udhëzim të presidentit të atëhershëm, Aleksandar Vuçiq – në kohën e konfliktit mes Izraelit dhe Iranit dhe pas akuzave të përsëritura të Moskës se Serbia furnizonte Ukrainën me municione përmes ndërmjetësve.

Eksporti rifilloi në shkurt të vitit 2026.

Por, si u shitën armët nga Serbia gjatë periudhës së moratoriumit?

Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë, Jugoimport SDPR-ja pretendon se eksportet e saj nuk ishin ndalur, por se ishte ashpërsuar procedura për marrjen e lejeve të eksportit.

“Përveç pëlqimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe BIA-s (Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit), u vendos edhe kërkesa për pëlqimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Në krye të këtij këshilli ishte Vuçiq – atëkohë në cilësinë e presidentit të shtetit.

“Fakti që aktivitetet tregtare vazhduan, tregon se ekzistonin dy lista. Në njërën anë kishte një bllokadë zyrtare për të gjithë, ndërsa, në anën tjetër, një listë të atyre që kishin marrë miratimin për eksport”, thotë për Radion Evropa e Lirë analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq.

“Në fakt, vendimi ishte në duart e Vuçiqit. Ai e vendosi moratoriumin me vullnetin e tij. Dhe, nëse Vuçiq thoshte se mund të eksportohej diku, atëherë eksporti realizohej. Gjithçka tjetër mbetej nën embargo”, shton ai.

Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiqit nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me tregtinë e armëve dhe rolin e ish-presidentit në këto marrëveshje.

Marrëveshjet për tregtinë e armëve, si rregull, mbaheshin rreptësisht konfidenciale nga pushteti i kaluar.

“Eksportet nuk janë ndalur, por nuk keni informacione se kujt i janë eksportuar armët”, thotë Radiq.

E njëjta gjë vlen edhe për importin e armëve, nga i cili kompania Jugoimport SDPR ka siguruar të ardhura edhe më shumë.

Ndërsa një e katërta e të ardhurave në vitin 2025 vinte nga eksportet, tri të katërtat e tjera siguroheshin nga importet.

Sipas raporteve financiare të kompanisë, të qasshme për publikun, kjo prirje vazhdon edhe me marrëveshjet e reja, vlera e të cilave arrin në rreth 2.9 miliardë dollarë.

Jugoimport SDPR bën të ditur se gjatë vitit 2025 ka lidhur 57 kontrata eksporti me 22 vende, në vlerë prej 643 milionë dollarësh.

Sipas kompanisë, me 27 vende janë lidhur edhe 237 kontrata importi, në vlerë prej 2.2 miliardë dollarësh.

Se për cilat shtete bëhet fjalë dhe çfarë saktësisht blihet, nuk është e qartë.

Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë, kompania përmendi Qipron, Azerbajxhanin dhe Izraelin si disa nga klientët e saj kryesorë, por nuk sqaroi se çfarë lloj bashkëpunimi tregtar ka me ta.

Pjesa më e madhe e importeve të kompanisë Jugoimport SDPR gjatë vitit 2025 – gjithsej 90 për qind – ishin furnizime për Forcat e Armatosura të Serbisë, tregojnë dokumentet financiare.

Nga kjo kompani i thanë Radios Evropa e Lirë se Ministrisë së Mbrojtjes i ofrojnë mbështetje në punët administrative, si hartimi i kontratave dhe kryerja e pagesave, por se kompania nuk vendos vetë se çfarë do të blihet dhe nga kush.

Ministria e Mbrojtjes nuk dha informacione për këto furnizime, ndërsa raportet e organizatave ndërkombëtare, gjatë viteve të fundit, kanë treguar se Serbia ka importuar pjesën më të madhe të armatimit dhe pajisjeve ushtarake nga Kina, përfshirë raketa balistike dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore.

Në arsenalin e Ushtrisë së Serbisë gjenden, po ashtu, armë izraelite.

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mburrej me bashkëpunimin gjithnjë e më të madh me Izraelin në industrinë ushtarake.

Serbia ka importuar disa dronë izraelitë, ndërsa ka shtuar dërgesat e municioneve drejt Izraelit që nga tetori i vitit 2023, kur ka nisur lufta në Gazë.

Gjithashtu, është paralajmëruar edhe një bashkëpunim mes kompanisë shtetërore serbe, Jugoimport SDPR, dhe një kompanie private izraelite për prodhimin e dronëve në një fabrikë pranë Beogradit.

Eksperti ushtarak, Radiq, vlerëson se blerjet e armëve nuk janë përcaktuar nga nevojat reale të Ushtrisë së Serbisë, por nga vendimet politike.

“Importi i armatimit nuk ishte përgjigje ndaj nevojave konkrete të Ushtrisë. Në fakt, politika vendoste se çfarë do të blihej, në bazë të kontratave sekrete dhe marrëveshjeve të arritura në takime private”, thotë Radiq.

Sipas tij, tregtia e armëve ishte një nga aktivitetet kryesore të pushtetit të kaluar.

“Armatimi përdorej si mjet në politikën e jashtme, por, mbi të gjitha, si mekanizëm për marrëveshje potencialisht korruptive. Vetëm tani do të mund të zbulojmë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë”, thotë Radiq.

Lista Studentore, fituese e zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, paralajmëroi rishikimin e kontratave për tregtinë e armëve.

Përfaqësuesit e saj thonë se Qeveria e ardhshme do të formojë një komision të pavarur për të hetuar keqpërdorimet dhe rastet e mundshme të korrupsionit.

Në fokus të shqyrtimit do të jetë edhe veprimtaria e kompanisë Jugoimport SDPR.

Megjithatë, ende nuk dihet se si mund të ndikojnë vendimet e Qeverisë së re në kontratat tashmë të lidhura.

“Për veprimet konkrete që lidhen me kompani të caktuara do të diskutojmë dhe do ta informojmë publikun pasi të formohet Qeveria e re”, tha Lista Studentore në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

Kompania Jugoimport i hedh poshtë si “krejtësisht të pavërteta” akuzat për korrupsion dhe kontrollin e Partisë Përparimtare Serbe mbi aktivitetet e saj.

Ajo thekson se, si kompani shtetërore, do të ndjekë politikat e Qeverisë.

Radiq nuk beson se kontratat tashmë të nënshkruara, mund të anulohen.

“Vështirë se do të mund t’i anulojmë kontratat për shkak të korrupsionit. Mund ta rregullojmë sistemin dhe të vendosim mekanizma të duhur kontrolli në të ardhmen. Por, fatkeqësisht, mendoj se ajo që është bërë deri më tani, është e pakthyeshme”, thotë ai.

Sipas Radiqit, marrëveshjet janë hartuar në mënyrë të tillë që t’i mbrojnë interesat e palëve nënshkruese.

Të ngjashme