Erdogani bën të ditur emrin e “aeroportit më të madh në botë” në Turqi

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Me praninë e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe pjesëmarrje të mysafirëve nga katër anët e botës, sot ka filluar inaugurimi i Aeroportit të Ri të Stambollit, i cili, pas përfundimit të plotë, do të jetë aeroporti më i madh në botë.

Presidenti Erdogan, në fjalimin e inaugurimit të aeroportit, bëri të ditur se emri i aeroportit të ri do të jetë “Aeroporti i Stambollit”.

Ai bëri të ditur se të gjitha fazat parashihet të përfundojnë deri më 2028, ndërkohë rrjedhimisht, aeroporti do të vazhdojë të rritet përgjatë 10 viteve të ardhshme.

“Faza e parë ka kapacitet për 90 milionë pasagjerë në vit. Kjo do të rritet në 150, nëse nevojitet në 200 milionë, pas përfundimit të fazave”, deklaroi Erdogan, transmeton AA, përcjell Klan Kosova.

Presidenti turk tha se Stambolli nuk është vetëm qyteti më i madh i Turqisë, por edhe marka më e vlefshme e vendit.

Duke iu referuar Aeroportit Ataturk, Erdogan tha se Aeroporti Ataturk do të ruajë statusin e tij si aeroport, por do të mbyllet për fluturime komerciale.

Erdogan ka shtuar se aeroporti i ri, me arkitekturën, administrimin dhe financimin e tij është nderi i vendit dhe projekt që në botë do të merret si shembull.

“Aeroportin e Stambollit e shohim si një shërbim të madh që kemi bërë jo vetëm për vendin tonë, por për gjithë rajonin dhe botën”, u shpreh ai.

Inaugurohet Aeroporti i Stambollit, "pika e re lidhëse e botës"

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme