FSK-ja e bindur se do të transformohet në ushtri

Prishtinë | 29 Kor 2017 | 14:41 | Nga

Pavarësisht vonesave të shumta për krijimin e institucioneve të reja të Republikën e Kosovës, kjo nuk del të jetë problem për Forcën e Sigurisë së këtij vendi e cila qëndron çdo herë e gatshme që e njëjta të transformohet në ushtri.

Dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga ministri në detyrë, Haki Demolli ka treguar se gjatë gjithë kohës FSK-ja kryen trajnime dhe aktivitete të ndryshme me shtetet e fuqishme botërore në funksion të ngritjes profesionale të kapaciteteve të tyre.

Nga plani vjetor i aktiviteteve të FSK-së janë edhe disa nga ato me shtetet partnere.

Në një përgjigje për Indeksonline, MFSK-ja ka treguar se FSK është e gatshme të fillon implementimin e planeve të veta per transformim në Forcë të Aramtosur. Sipas këtij dikasteri, kjo çështje është e niveleve më të larta shtetërore.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është institucion që është nën kontrollin dhe mbikëqyrjen civile demokratike. Synimi ynë është që të jemi të gatshëm me plane dhe përgatitje për të përmbushur misionin që na jepet, duke përfshi edhe transformimin. Me rendësi është që ne jemi të gatshëm të fillojmë zbatimin e planit të transformimit, kur do që të merret vendimi. Se cila është forma më e mire, nuk varet nga ne por nga vendimet në nivel të shtetit të Republikës së Kosovës.

Pra, forma më e mirë e formimit të ushtrisë është ajo  që do të arrihej për mes konsensusit  të partive politike parlamentare  dhe ndryshimeve kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e MFKS-së.

Më tej, MFSK-ja ka treguar disa suksese që ka pasur FSK-ja gjatë këtij  viti nga trajnimet e kryerera me vendet partnere.

Po ashtu është theksuar se sukses i veçantë nga këto trajnime ka qenë në “Mbretërinë e Bashkuar” ku vlen të përmendim se ekipi i FSK-së është dekoruar me medalje të artë.

Më poshtë keni disa raste ku FSK-ja është treguar e sukseshme gjatë trajnimeve të përbashkëta me vendet partnere:

“FSK vazhdimisht kryen trajnime, ushtrime, dhe aktivitete te ndryshme që janë në funksion të ngritjes profesionale të personelit dhe kapaciteteve të veta. Si pjesë e planit vjetor të aktiviteteve të FSK-së janë edhe trajnimet dhe ushtrimet bilaterale me shtetet partnere.

FSK që disa vite kryen ushtrime të përbashkëta me partnerët, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Njësitë e FSK-së vetëm gjatë këtij viti ishte pjesëmarrëse në Ushtrimin me Ushtrinë Amerikane për Evropë, Ushtrimet KFOR23 dhe  “Combined Resolve 8” që janë mbajtur në bazën amerikane në Gjermani, pastaj ushtrimi “Immediate Response” në Slloveni dhe Kroaci, “Joint Effort 16” në Shqipëri, dhe shumë ushtrime tjera të cilat kishin karakter ndërkombëtar, dhe ku njësitë e FSK-së kanë treguar një profesionalizëm, motivim, dhe disiplinë të lartë gjatë zbatimit të detyrave.

Gjithashtu, pjesëtarët dhe njësitë e FSK-së kanë marrë pjesë në shumë trajnime dhe gara ndërkombëtare ushtarake, ku në shumicën e tyre ka zënë vendin e parë apo janë shpallur si studentët më të mirë, për shembull gara “Cambrian Patroll” në Mbretëri të Bashkuar ku ekipi i FSK-së u dekorua me medalje të artë, shumë oficer të dekoruar me çmimin “Studenti më i Mirë Ndërkombëtar”, fitues të garës ndërkombëtare ushtarake në Kroaci, dhe shumë çmime dhe dekorata tjera që pjesëtarët e FSK-së kanë marrë gjatë trajnimeve, ushtrimeve dhe garave ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.

Në fund, MFSK-ja tregon se bashkëpunimi intensiv me shtetet partnere dhe  aleate për trajnime bilaterale  do të vazhdon edhe më tutje të realizohet.

“FSK vazhdon bashkëpunimin shumë intensiv me shtetet partnere dhe aleate  mbi bazën e marrëveshjeve dypalëshe të bashkëpunimit; me pjesëmarrje në ushtrime fushore të përbashkëta, trajnime dhe shkollime.

Rezultati i fundit që vlen të theksohet është zënia e vendit të parë nga nëntogeri Rilind Idrizi i cili merr çmimin “Studenti më i mirë ndërkombëtar” në Kolegjin Mbretëror të Forcave Ajrore  të Mbretërisë së Bashkuar”, thuhet në fund të përgjigjes të MFSK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme