Gjendet 22-vjeçarja e zhdukur në Shtime, po bashkëjetonte me të dashurën

Prishtinë | 07 Dhj 2023 | 22:15 | Nga Ekonomia Online

Një qytetar i Shtimes, i cili para disa javësh e kishte raportuar të bijën 22-vjeçare si të zhdukur, është paraqitur në Polici bashkë me të, me ç’rast ka njoftuar se kanë arritur të bien në kontakt dhe se ajo ndodhet në gjendje të mirë.

Me rastin e dhënies së deklaratës para hetuesve policorë, 22-vjeçarja ka deklaruar se gjatë periudhës që ishte raportuar e zhdukur ka qëndruar me një person, me të cilin po bashkëjeton.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se vajza nuk ka pranuar që të kthehet në shtëpi, pasi ka vendosur që të vazhdojë të jetojë me të dashurën e saj, e cila i takon komunitetit LGBT, fakt ky që e ka futur në sherr me prindërit e saj.

Sipas këtyre burime, ata nuk janë pajtuar me të bijën për lidhjen e saj, edhe pse kjo e fundit ka deklaruar në Polici se nuk është abuzuar e as keqtrajtuar nga personi në fjalë.

Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme për zbardhjen e detajeve të tjera.

Të ngjashme