Gjuriq: Kam qenë prezent kur në BE i kanë premtuar Vuçiqit se nuk do ketë platformë

Prishtinë | 14 Mar 2019 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Marko Gjuriq ka pretenduar se Platforma e Kuvendit të Kosovës mbi negociatat me Serbinë e pamundëson normalizimin dhe stabilitetin e përhershëm.

“Si mund të bisedojmë në bazë të asaj platforme”, ka pyetur Gjuriq dhe ka shtuar se “në Kosovë është krijuar atmosferë toksike dhe për këtë flet se edhe Departamenti i Shtetit ka regjistruar sulmet ndaj serbëve”.

Ai për televizionin serb TV Pink ka thënë se Prishtina “nuk do dialog, gjë që shihet në atë se në krye të ekipit negociator është vendosur Fatmir Limaj i cili ka vrarë dhjetëra serb”.

Gjuriq ka thënë se ka qenë prezent kur Aleksandar Vuçiq është ankuar te zyrtarët e lartë të Brukselit për Platformën, dhe ata kanë thënë se “e kuptojnë brengën dhe do të bëjnë gjithçka që të mos vjen deri te ajo”.

Gjuriq ka thënë se Partia Liberale Serbe në Kosovë dhe deputeti i saj në Kuvend të Kosovës Sllobodan Petroviq në vend të “protestojë kundër ngjarjeve në Kosovë, po e përkrahin protestën “Një nga pesë milionë”.

Gjuriq ka thënë se Petroviqi ka dhënë kuorum që të votohet Platforma e cila sipas fjalëve të tij “i ka dhënë gozhdën e fundit në arkivolin e dialogut”, duke “harruar” se edhe deputeti nga Lista Serbe Slavko Simiq ka qenë prezent në Kuvend gjatë këtij votimi.

Ai ka thënë se ironia dhe absurditeti është se “ata të cilët i kanë bartur bisedimet nga Kombet e Bashkuara në Bashkimin Evropian, tani po e sulmojnë Vuçiqin”

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme