Gjykata mban në sirtar aktakuzën rreth aferës “Pronto”, nuk ua jep të akuzuarve

Prishtinë | 28 Kor 2018 | 07:56 | Nga

Njëmbëdhjetë të akuzuarit në aferën “Pronto”, as pas katër muajsh, qëkur është ngritur aktakuza kundër tyre nuk kanë “njohuri” për përmbajtjen e saj.

Gjykata Themelore e Prishtinës nuk ua ka dorëzuar ende atë me gjithë që avokatët mbrojtës e kanë kërkuar disa herë. Pos që nuk ua ka dhënë aktakuzën, gjykata ende nuk ka caktuar as datën për fillimin e këtij procesi gjyqësor.

Në anën tjetër, avokatët mbrojtës i kanë thënë “Kohës Ditore” se i kanë pranuar nga Prokuroria të gjitha shkresat e lëndës qysh në momentin kur është ngritur aktakuza. Por këtë të fundit Prokuroria u ka thënë që ta kërkojnë në gjykatë, pasi atje e kanë dorëzuar.

Për këtë çështje, zyrtarë nga gjykata nuk kanë dhënë ndonjë informacion. Kanë thënë se gjyqtari i rastit, Shasivar Hoti, është në pushim vjetor.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të drejtësisë thonë se kjo neglizhencë e gjykatës duket e qëllimshme dhe nëse vazhdon kështu, rrezikon parashkrimin e lëndës.

Një ministër, një ish-zëvendësministër, deputetë e ish-deputetë të PDK-së, këshilltarë të Kuvendit të Kosovës, si dhe zyrtarë të tjerë, janë të akuzuar në aferën “Pronto”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme