Gjyqtarja fsheh aktvendimin e zyrtarit të MAP-it për 14 muaj

Prishtinë | 28 Shk 2018 | 09:21 | Nga

Zyrtari i Ministrisë së Administratës Publike (MAP) Sahit Mushkolaj, për më shumë se tre vjet nuk kishte ditur asgjë për fatin e padisë që kishte ushtruar ndaj institucionit ku punon, lidhur me një konkurs për punësim, që ai pretendonte se ishte kurdisur.

Këtë padi, ai e kishte dorëzuar më 23 tetor të vitit 2014, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në divizionin civil të Departamentit të Përgjithshëm të kësaj gjykate.

Me pretendimet për kurdisjen e këtij konkursi, ai e kishte paditur drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, që vepron në kuadër të MAP-it, Kujtim Gashi.

Sipas kësaj padie, kurdisjen e këtij konkursi në të cilin kishte aplikuar edhe paditësi, e kishte bërë tanimë i padituri Gashi.

Por, 17 muaj pas parashtrimit të padisë, përkatësisht më 4 prill 2016, divizioni civil i Themelores në Prishtinë, konkretisht gjykatësja Mihane Ismajli, kishte nxjerrë aktvendim me anë të së cilit ky departament ishte shpallur jo kompetent për ta shqyrtuar këtë lëndë, derisa atë e kishte deleguar në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Delegimi i kësaj lënde nga Departamenti Civil në atë Administrativ, kishte zgjatur plotë 14 muaj.

Për këto veprime të gjykatës, paditësi Mushkolaj thotë të mos jetë informuar asnjëherë, derisa akuzon atë se qëllimisht lënda e tij kishte mbetur në sirtarët e gjykatës për gjithë këta muaj.

Paditësi Sahit Mushkolaj, thotë se nuk kishte marrë kurrfarë ftese dhe ai nuk kishte qenë në dijeni lidhur me ekzistimin e këtij aktvendimi për delegimin e lëndës në departamentin tjetër.

Duke e parë që për lëndën e tij nuk kishte marrë asnjë informatë zyrtare të gjykatës, paditësi Mushkolaj, thotë se më 24 maj 2017, kishte shkuar vet në gjykatë për të kërkuar informata lidhur me rastin e tij.

Mushkolaj ka thënë se në gjykatë ka shkuar pasi në MAP kishte dëgjuar se ai e ka një lëndë në gjykatë, e cila i është fshehur.

Kur kishte shkuar për të marr informata lidhur me lëndën e tij, paditësi Mushkolaj thotë se gjykata i ishte arsyetuar se adresa e cekur në padi, ka rezultuar të jetë e gabuar dhe si pasojë e kësaj, nuk ka qenë e mundur që aktvendimi t’i dërgohet paditësit, si parakusht që aktvendimi të hyjë në fuqi dhe lënda t’i dërgohet Departamentit për Çështje Administrative.

Por, këto pretendime të gjykatës i ka hedhur poshtë paditësi Mushkolaj, duke thënë se adresa e dhënë në padi është e saktë.

Ai për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se fshehja e kësaj lënde është e qëllimshme dhe sipas tij, këtu nuk mund të flitet për një neglizhencë nga ana e gjykatës.

“Këtu nuk kemi të bëjmë me një gabim teknik e as neglizhencë të gjykatës. Persona të fuqishëm ma kanë fshehur këtë lëndë qëllimisht. Lënda më është zvarritur për 3 vite dhe ajo ende ndodhet në fazën fillestare. Unë kam pasur pasoja të mëdha për shkak të fshehjes së kësaj lëndë”, ka deklaruar Mushkolaj.

Ndryshe, Ligji për Procedurën Kontestimore (LPK) ka rregulluar mënyrën e dërgimit të shkresave në rastin kur personi nuk gjendet në adresën e dhënë.

Sipas këtij ligji, në rastin kur personi nuk gjendet në adresën e dhënë, shkresa i jepet një anëtari të familjes. Nëse kjo nuk është e mundur, atëherë vendoset një njoftim për palën, duke i treguar se ku mund ta marrë shkresën e tij. Nëse edhe kjo dështon, atëherë shkresa ngjitet në tabelën e shpalljeve të gjykatës, dhe me kalimin e afatit 7 ditor, dorëzimi konsiderohet i kryer.

Si rrjedhojë, nëse do të ishin respektuar procedurat ligjore në këtë rast, aktvendimi do të mund të merrte formën e prerë shumë më shpejtë, dhe lënda për një afat shumë më të shkurtër të transferohej në Departamentin për Çështje Administrative.

“Betimi për Drejtësi” ka bërë kërkesë për informata në Gjykatën Themelore të Prishtinës, nëse brenda afatit ligjor janë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore që aktvendimi të konsiderohet si i dërguar, të marrë formën e prerë dhe në një afat më të shkurtër të dërgohet në Departamentin për Çështje Administrative.

Në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, nuk janë dhënë detaje lidhur me zvarritjen e kësaj lënde nga kjo gjykatë.

“Pas ekspedimit (dorëzimit) të vendimit, lënda ka shkuar në shkrimore dhe pas plotfuqishmërisë së vendimit lënda është dërguar në Departamentin për Çështje Administrative në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe ka marr numër të ri A.nr 952/17. Ju njoftojmë se me vendimin e dt.22.11.2017, gjyqtarja e çështjes në Departamentin Administrativ ka siguruar nga paditësi precizimin e padisë në aspektin subjektiv për të paditurin-KPMSHCRK për aktin që kontestohet dhe kërkohet anulimi i tij si dhe provat dhe faktet që kanë të bëjnë me çështjen. Me dt.15.12.2017 lënda me aktvendim është dërguar për përgjigje në padi tek i padituri –KPMSHCRK. Në momentin e sigurimit të përgjigjes në padi nga ana e të paditurit KPMSHCRK-së, do të procedohet me lëndën duke e pasur parasysh se lënda në fjalë është lëndë e vitit 2014.”, thuhet në përgjigjen e saj.

Paraprakisht, paditësi kishte bërë ankesë edhe në MAP dhe në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil në Kosovë. Në të dyja rastet, ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazë.

Lidhur me këtë rast, Sahit Mushkolaj ka paraqitur edhe ankesë në Zyrën e Prokurorit Disiplinor (ZPD) më 20 dhjetor 2017, vendimin e së cilës është duke e pritur.

Më 23 tetor 2014, Sahit Mushkolaj kishte paditur drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) në Ministrinë e Administratës Publike (MAP), Kujtim Gashi.

Padia ishte bërë për kurdisje të konkursit lidhur me pozitën e udhëheqësit së Drejtorisë së Rrjetit dhe Telekomunikimit.

Sahit Mushkolaj, me anë të padisë pretendon se i gjithë konkursi për këtë pozitë ka qenë i kurdisur, fakt për të cilin thotë se e kishin njoftuar edhe kabinetin e ministrit të MAP-it, por që ky i fundit nuk i kishte marrë seriozisht këto pretendime.

Në padi thuhet se me qëllim që personat e caktuar të pranohen në këtë pozitë, ishte ndryshuar konkursi tek pjesa e “kualifikimeve të nevojshme”, ku ishte përcaktuar që të ketë “Fakultetin Teknik”, pa e specifikuar se cilin drejtim.

Sipas paditësit, kjo ishte bërë me qëllimin e vetëm që personat me kualifikim në makineri të mund të pranohen në këtë pozitë, pasi që termi “teknik” përfshin Fakultetin Elektroteknik, Fakultetin e Arkitekturës dhe Ndërtimtarisë dhe Fakultetin e Makinerisë.

Sipas padisë, kjo përbën shkelje të Rregullores për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, pasi që shkollimi dhe kualifikimet e kërkuara nuk janë në përputhje me natyrën e vendit të punës.

Paditësi Sahit Mushkolaj, në padinë e tij, deklaron se drejtori i ASHI-së, Kujtim Gashi, e kishte përpiluar vet testin, duke përfshirë edhe pyetjet administrative, me të vetmin qëllim që personat tanimë të përzgjedhur të dalin me pikë maksimale në testin me shkrim.

Sahit Mushkolaj, pretendon se edhe Komisioni Përzgjedhës i Shërbimit Civil nuk përbëhej nga asnjë nëpunës me aftësi dhe njohuri të specializuara në fushën e pozitave të lira, por vetëm nga juristë dhe ekonomistë.

Krejt në fund, paditësi thotë se ai është trajtuar në mënyrë jo të barabartë, duke ju nënshtruar një procesi të kurdisur, dhe se është fyer përgatitja e tij shkollore dhe profesionale.

Drejtori i ASHI-së në MAP, Kujtim Gashi, i cili është i paditur për këtë rast, ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se në këtë proces gjithçka ka qenë në rregull dhe se pretendimet e Sahit Mushkolajt sipas tij, janë tendencioze.

“Punësimin e shërbyesve civil nuk e rregulloj unë, por Ligji për Shërbyesit Civil. Ky ligj përcakton kriteret dhe procedurat e rekrutimit. Procesi në fjalë ka qenë plotësisht transparent dhe procedurat janë respektuar në përpikëri. I gjithë procesi është monitoruar nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës, i cili këtë proces e ka vlerësuar si të drejtë. Sahit Mushkolajt i janë refuzuar ankesat në të gjitha instancat”, ka deklaruar Gashi.

Sa i përket padisë që Mushkolaj ka ushtruar ndaj tij, Gashi ka thënë se këtë e shoh si tendencioze për të shkaktuar telashe në opinion dhe si luftë për interesa personale.

Sipas tij, rekrutimi i stafit është çështje institucionale, dhe jo individuale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme