Gjysma e Gollakut pa autobusë për në Prishtinë

Prishtinë | 28 Tet 2018 | 09:49 | Nga Ekonomia Online

Për shumë vjet, asnjë autobus i Komunës së Prishtinës nuk i ka shkelur rrugët e zonës së Gollakut.

Por, nga 1 tetori, një autobus i ri është lëshuar në linjën Prishtinë – Keqekollë, katër herë në ditë.

Megjithatë, kjo nuk i ka kënaqur të gjithë, raporton 038 në KTV.

Banorë të fshatrave Prapashticë, Gllogovicë, Hajkobillë e Dabishec, po kërkojnë zgjatjen e kësaj linje deri në fshatrat e tyre.

Ata thonë se ka qenë vetë kryetari Shpend Ahmeti që iu kishte premtuar diçka të tillë.

Ndërsa, thonë se mungesa e një linje të rregullt, po paraqet problem më të madh për nxënësit e shkollës së mesme dhe punëtorët.

Pa dhënë një afat të saktë, në Komunën e Prishtinës kanë thënë se edhe këto fshatra do të përfshihen në linjat e reja të parapara me Planin e Mobilitetit.

“Plani i Mobilitetit është në fazën finale dhe me këtë plan është paraparë të reformohet edhe transporti publik i udhëtarëve dhe po ashtu edhe ridizajnimi i linjave urbane e urbano-periferike, ku janë planifikuar të përfshihen edhe zonat rurale, pra fshatrat e lartpërmendura. Me ridazajnimin e linjave lëshohen autobusë për zonat që nuk janë të mbuluara me transport të rregullt të udhëtarëve, edhe pse transporti për nxënës (të shkollës fillore) e arsimtarë nuk mungon”, ka thënë Habib Qorri, shef i Sektorit të Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës.

Banorët e kësaj zone, kanë thënë se do të vazhdojnë me kërkesa, deri në përmbushjen e premtimeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme