Guérot viziton Vushtrrinë: Pata rastin ta shohë realitetin e Kosovës si një shtet multietnik

Prishtinë | 09 Mar 2023 | 14:22 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot, ka vizituar komunën e Vushtrrisë, ku është pritur nga kryetari Ferit Idrizi, raporton Ekonomia Online.

Pas vizitës në komunë, kryetari Idrizi dhe ambasadori Guérot kanë vizituar edhe fshatin e Prelluzhës, fshat ky i Vushtrrisë, i banuar me shumicë serbe.

Me këtë rast, Guérot falendëroi kryetarin Idrizi për punën “në ushqyerjen e marrëdhënieve mes komuniteteve” në komunën që ai udhëheq, teksa tha se pati rastin ta shohë realitetin e Kosovës si një shtet multietnik.

“Fillimisht do të doja ta falënderoja kryetarin Idrizi për mikpritjen e tij dhe gjithashtu ta falënderoj atë edhe më shumë për punën e tij të rëndësishme që është duke bërë në ushqyerjen e marrëdhënieve mes komuniteteve në këtë qytet”.

“Erdha këtu ta shohë vetë realitetin e Kosovës, si një shtet multietnik dhe në këtë periudhë diskutimesh intensive diplomatike për normalizim mes Serbisë dhe Kosovës është shumë e rëndësishme për mua ta shohë atë në realitet”.

Guérot foli edhe për marrëveshjen e 27 shkurtit, për të cilën tha se ka potencialin që ta ndryshojë jetën e qytetarëve.

“Mendoj që marrëveshja që është aprovuar më 27 shkurt dhe implementimi i aneksit do të diskutohet. Ka një potencial të ndryshohet për mirë çdo ditë jeta e qytetarëve, të gjithëve nga Kosova, këtu në Vushtrri dhe veçanërisht sigurisht në 4 komunat veriore. Jam konfident që po vijmë afër një zgjidhjeje që të gjithë kanë punuar shumë”.

E kryetari i komunës, Ferit Idrizi, përveç vizitës, e falënderoi ambasadorin edhe për angazhimin në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“E falënderoj ambasadorin për vizitën e radhës, por edhe për angazhimin e tij, në veçanëri për planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Është kontribut i jashtëzakonshëm që shteti mik francez e ka dhënë edhe në të kaluarën por edhe në të tashmen për shtetin e Kosovës”, u shpreh ai.

Të ngjashme