Hakerë rusë vënë në shënjestër kërkimet mbi vaksinën kundër COVID-19

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 08:53 | Nga Ekonomia Online

Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja kanë akuzuar të enjten hekerët rusë se janë përpjekur që të vjedhin informacione mbi kërkimet e kryera lidhur me zhvillimin e një vaksine kundër koronavirusit, duke i paralajmëruar shkencëtarët dhe kompanitë farmaceutike që të jenë vigjilentë për aktivitete të dyshimta.

Agjencitë e Inteligjencës të këtyre tri shteteve kanë pretenduar se grupi i hakerëve APT29, i njohur po ashtu si “Cozy Bear” dhe që pretendohet se është pjesë e shërbimeve ruse të Inteligjencës, ka sulmuar institucionet akademike dhe farmaceutike të kërkimeve, përfshirë ato që janë pjesë e studimeve për zhvillimin e një vaksine kundër COVID-19.

“Është plotësisht e papranueshme që shërbimet ruse të Inteligjencës janë duke i vënë në shënjestër ata që punojnë në luftimin e pandemisë së koronavirusit”, ka thënë të enjten sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, duke e akuzuar Moskën për ndjekjen “e interesave vetjake me sjelle të papranueshme”.

Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin, ka hedhur poshtë akuzat britanike duke thënë: “Nuk kemi informacione rreth asaj se kush mund të ketë hakuar kompanitë farmaceutike dhe qendrat kërkimore në Britaninë e Madhe”.

“Mund ta themi vetëm një gjë: Rusia nuk ka fare të bëjë me këto përpjekje”, ka thënë Peskov, raportoi agjencia ruse e lajmeve Tass.

Sulmet e vazhdueshme kibernetike, zyrtarët e Inteligjencës i konsiderojnë si përpjekje për vjedhjen e pronave intelektuale, e jo si përpjekje për të penguar kërkimet.

Fushata e “aktiviteteve qëllimkëqija” është e vazhdueshme dhe përfshin sulmet “kryesisht kundër qeverive, qarqeve diplomatike, agjencive të matjes së opinionit publik, përkujdesjes shëndetësore dhe caqeve energjetike”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Qendra Kombëtare britanike e Sigurisë Kibernetike (NCSC).

NCSC-ja britanike ka bërë të ditur se një vlerësim të tillë e ka edhe Departamenti amerikan për Siguri Kombëtare, Agjencia e Infrastrukturës e Sigurisë Kibernetike dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare, si dhe Establishmenti kanadez i Sigurisë së Komunikimit.

Nuk dihet nëse ndonjë informatë në fakt është vjedhur, por Britania e Madhe ka bërë të ditur se të dhënat konfidenciale të individëve nuk besohet të jenë komprometuar.

Njoftimi britanik nuk specifikon nëse Putini ka qenë në dijeni të hakimit të të dhënave për vaksinën, por zyrtarët e këtij vendi besojnë se të dhëna të këtilla të Inteligjencës do të ishin shpërblim i madh për Rusinë.

Të ngjashme