Haradinaj: Askush s’ka mandat, as të drejtë të negociojë për kufijtë dhe territorin e Kosovës

Prishtinë | 03 Sht 2018 | 16:47 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Çështjet që do të diskutohen në dialogun Kosovë-Serbi janë çështje të mëdha dhe si të tilla do të ishte më mirë që t’i shohin më shumë sy e t’i analizojnë më shumë mendje.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë duke iu referuar  propozimit për emërimin e grupit të ri negociator, i cili do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Fatmir Limaj, raporton Ekonomia Online.

“Janë tema të mëdha, janë tema të ndjeshme. Më mirë t’i shohin shumë sy e t’i analizojnë shumë mendje. Meqë ka të bëjë me Kosovën, më mirë është me qenë me një tavolinë për një siguri më të madhe në tavolinë”.

Haradinaj ka përsëritur qëndrimin se askush nuk ka as mandat, as të drejtë të negociojë për kufijtë dhe territorin.

“Ne kemi të gjithë obligime me respektu kushtetutën e vendit. Kërkush nuk e ka të drejtën ose mandatin që ta negociojë territorin ose kufijtë. Duhet të jemi të qëndrueshëm që të mos lejojmë askënd të diskutojë për territorin tonë për kufijtë”.

Sipas kreut të qeverisë, formimi i këtij ekipi është marrje e një pjese të përgjegjësisë nga qeveria, raporton EO.

Ai ftoi edhe parlamentin që ta bëjë punën e tij duke dhënë miratimin për ekipin e propozuar nga qeveria dhe duke plotësuar këtë ekip me përfaqësues të tyre.

“Vendimi është dypjesësh, ne si qeveri marrim vendim për pjesën tonë të ekzekutivit. Zakonisht vendimet tona i aprovon parlamenti dhe mendojmë që parlamenti ta bëjë pjesën e vet e të bëjë propozimet e tjera. Unë kam bërë disa tentativa që në kuvend me çu kërkesën që parlamenti me marrë rol, kom çu platformë, por parlamenti nuk ka arritë ta bëjë këtë”.

“Ne në takimet që kemi, respektohet kushtetuta dhe atë që parasheh kushtetuta, edhe integriteti territorial, edhe sovraniteti. Edhe zotëri Limaj e të tjerët. Nuk kanë mandat me diskutu për kufijtë e për territorin. Emërimi i këtij delegacioni nuk nënkupton aprovimin e ideve për ndryshime territoriale të vendit tonë”.

I pyetur nëse krijimi i këtij ekipi do të thotë se NISMA dhe AAK-ja nuk do ta përkrahin rezolutën e cila do të prezantohet nesër në seancën e jashtëzakonshme, Haradinaj tha se mbrojtja e territorit është në përputhje me parimet e secilit subjekt politik, raporton EO.

“Çdo qëndrim që ka të bëjë me mbrojtje të territorit është në përputhje të parimeve me çdo subjekt politik”.

Në fund, shefi i kabinetit qeveritar ka lënë të nënkuptohet se do të bëjë një ndryshim në kabinetin qeveritar.

Ai tha se duke pasur parasysh që çdo “reformatim është gjallëri, në vazhdimësi është mirë me pasë një gjallëri”.

Të ngjashme